Për më shumë se tri orë, është intervistuar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, nga Prokuroria Speciale, pas deklaratave të bëra lidhur me rastin e vdekjes së ish anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.
Kurteshi ka thënë se intervistimi i tij është bërë në cilësinë e dëshmitarit, duke thënë se i qëndron pas çdo deklarate të bërë në konferencën për media më 12 gusht. Ai ka thënë se ka parë mijëra faqe që dëshmojnë se Astrit Dehari është vrarë me urdhër të “ish-funksionarëve të shtetit”.
“Jam intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për deklaratat e bëra dhe të shkruara të publikuara më 12 gusht para Prokurorisë Speciale, për pensionimin e të prokurorit Afrim Shefkiu që ka udhëhequr rastin e Deharit. Kjo ka shkuar me autorizim të prokurorit të rastit. Prokuroria Speciale ka caktuar prokurorin e ri për rastin e Deharit dhe ai është Bekim Kodraliu. Pyetjet kanë qenë në lidhje me deklaratat dhe prononcimin tim më 12 gusht në konferencën time të mbajtur para PSRK-së. Ka qenë një paragraf i përdorur në konferencën për media dhe në komunikatën për media nga Lëvizja Vetëvendosje që ka të bëjë me implikimin dhe urdhrat e dhëna nga maja e shtetit për institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovës”, ka thënë Kurteshi, teksa shton se i qëndron të gjitha deklarimeve të tij. Këmbëngul se mbrapa vdekjes së ish-aktivistit, Astrit Dehari qëndrojnë ish-krerët e shtetit.
“Unë jam përgjigjur në të gjitha pyetjet, natyrisht që kam deklaruar dhe qëndroj pas çdo fjalie të dhënë më 12 gusht në atë konferencë. Ka shumë fakte që i dhashë në Prokurori se implikimi i funksionarëve të majës së shtetit bashkë me institucionet të sigurisë dhe drejtësisë është e dukshme nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet që deri sot janë në dorë të publikut dhe në dorë të institucioneve”, u shpreh Kurteshi.
Kurteshi ka thënë se ka parë fakte e dokumente që Astrit Dehari është vrarë.
“Unë nuk i posedoj ato fakte, vetëm jam njëri nga personat që e përcjelli rastin. Janë mbi tre mijë faqe, dokumente të ndryshme në lidhje më rastin, prova, analiza e rekomandime në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre i kam lexuar e përcjelli rastin. Aty ka me qindra dëshmi dhe fakte qe vërtetojnë bindjen time që rasti i Deharit është vrasja e plotë me urdhër nga lartë”, u shpreh ai.
E avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se nuk ka marrë përgjigje për zhdukjen e mostrave të Astrit Dehari. Beson se prokurori i ri do të punojë më shumë në zbardhjen e këtij rasti.
Ai ka thënë se ka me dhjetëra prova që tregojnë se ish-aktivisti i VV-së është vrarë.
“Prokurori Afrim Shefkiu nuk iu është përgjigjur kërkesave të mija si avokat përfaqësues ligjor i familjes Dehari dhe për këtë arsye ne nuk kemi njoftim zyrtar se çfarë ka ndodhur me zhdukjen e një pjese të mostrës së rastit të Deharit. Nuk mund të them asgjë konkretisht se çfarë mostre janë zhdukur. Kurteshi sot ka dhënë shpjegimin e tij që prokurori ka kërkuar në cilësinë e dëshmitarit dhe kanë qenë dy hetues të Policisë sonë dhe prokurori ka qenë prezent. Presim me prokurorin e ri që mos të veprojë si i vjetri. Prokurori Kodraliu ka pak ditë që ka marrë rastin dhe ne do të lejmë kohën e mjaftueshme sepse rasti është i ndjeshëm. Ka me dhjetëra prova që dërgojnë në një drejtim që rasti i Deharit është vrasje”.
“Besojmë që ky prokuror duhet të jetë më profesionist dhe besoj që ky prokuror nuk frikësohet të sheh fotot me gjak siç është frikësuar prokurori i kaluar. I gjithë rasti i Deharit është i përgjakur, nuk ka fotografi dhe dëshmi të tjera përveç se të përgjakur. Ai ka vdekur në burg dhe është dërguar pa shenja jetë në spital dhe ka pasur tentime të manipulimit edhe të dokumenteve dhe provave që kinse Dehari ka vdekur në spital”, u shpreh Gashi.