Letrat e presidentit Hashim Thaçi drejtuar Prokurorisë Speciale të Shtetit për zbardhjen e krimeve të pas luftës po shihen si një shou politik dhe media.
Sami Kurteshi – anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se nuk ka asgjë fisnike, e rrjedhimisht as interesim të sinqertë për zbardhje të rasteve të krimeve.
“Kjo është një lojë e pështirë politike me zhurmë mediale për ikje nga përgjegjësia politike dhe ligjore për krimet e bëra nga vetë Thaçi, apo siç thotë populli “është një ikje e kriminelit nga vendi i krimit”, ka thënë Kurteshi, që para se t’i hyjë politikës, ka ushtruar postin e Avokatit të Popullit, njofton Klan Kosova.
“Është një qërim hesapesh midis klaneve në gjirin e vetë pushtetit të kriminalizuar në Kosovë; është tentim i dëshmuar i shfaqjes së “muskujve” politik; është edhe një dëshmi shtesë për kapjen e shtetit, sidomos të gjyqësorit nga politika e kriminalizuar, e udhëhequr nga vetë Thaçi”
“Po ashtu me këtë po bëhet një përpjekje e dështuar për tërheqje të vëmendjes së publikut nga problemet reale shoqërore edhe më të thelluara pikërisht për shkak të qeverisjes kriminale dhe të krimeve të vetë Thaçit në vitet e fundit.”
Sipas Kurteshit edhe ligjërisht, është një ndërhyrje e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese në sistemin gjyqësor, në këtë rast prokurorial, edhe ashtu të nëpërkëmbur dhe të shantazhuar deri në absurd.
“Mbase mund të fshihet edhe ndonjë synim tjetër jofisnik dhe kriminal pas këtyre letrave, të cilin e ka në mendje klani i Thaçit në mendjen e tyre kriminale. Mirëpo, thënë shkurt e shqip, është një gur me të cilin është synuar të vriten shumë zogj, por ka shkuar huq!”, ka përfunduar Kurteshi.