Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ka folur për “tradhtinë” siç e quajti ai të 12 ish-aktivistëve të Lëvizjes. Ai tha se tani këta 12 deputetë kanë përfunduar në prehër të PDK-së.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes e cila u cilësua si mbledhja e rritjes, fuqizimit, konsolidimit të VV-së me ndikime të dukshme e të gjithëpranuara edhe në zhvillimet politike dhe të përgjithshme shoqërore në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Për lëvizjen fillimi i vitit ka qenë i pazakontë sepse ende nuk po kuptoj se pse një grup aktivistësh u përpoqën ta shkatërrojnë lëvizjen, ata nuk ia dolën të dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosje sepse shumica e simpatizuesve dhe aktivistë tanë nuk e tradhtuan rrugën drejtuar kombit dhe shoqëror, ne nuk e dinim se pse ishte kjo, kundër lëvizjes dhe meje”, u shpreh Kurti.
“Dje kur i pamë në media të botuara mesazhet e tyre, kur e kuptoj të vërtetën e saktë përmbajtjen e saj atëherë ky është fillimi, kjo e vërtetë nuk na gëzon, por na hidhëron sepse parashikimet tona po dalin të sakta dhe kushdo që del nga VV po shkon në prehër të PDK-së, i pata lutur të qëndrojnë në VV, por mbeten të pashpresë për të tjerët dhe vetën e tyre”
“Skenari i Thaçit për ndarje morri përgjigjen e saj në protestën e 29 shtatorit ku qindra e mijëra qytetarë dolën kundër planit dhe Thaçi mbeti vetëm, mesazhet e publikuara tregojnë se 12 deputetët tashmë Thaçi i ka blerë dhe janë bërë të Thaçit e Veselit”, tha Kurti.
Kurti tha se përpos tradhtive dhe dialogut me Serbinë, vdekja e punëtorëve në vend të punës ka qenë një çështje mjaft shqetësuese që sipas tij qeveria nuk po ndihmon në përmirësimin e kushteve për punëtorët dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Për 2018 nuk ka pasur vetëm tradhti dhe dialog me Serbinë, por edhe vdekje të punëtorëve që qeveria u është përgjigjur me indiferencë, qindra punëtorë janë drejtuar tek VV dhe janë anëtarësuar tek ne përfshirë edhe Përparim Sadiku punëtor në Bechtel Enka që qëndroi i varur për dy orë dhe shpëtoi për mrekulli”
Kurti tha se qeveritarët kanë rritur pagat e tyre, ndërsa punëtorët e mjeket mbesin me paga tejet të ulëta. Ai po ashtu tha se qeveria ka vazhduar avazin e vjetër duke mos punuar për zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë të vendit, por duke pasur në fokus shtrimin e asfalteve.
“Varfëria po rritet edhe çmimet, jeta më e shtrenjtë e qeveria në vitin që po shkon nuk tregoi prirje për të drejtuar ekonominë nga zhvillimi, por e vazhdoi avazin e vjetër në asfalt që më shumë i vjedhin aty dhe na del asfalti më i shtrenjtë se kudo në Evropë”
Kurti u shpreh se pavarësisht sfidave që ka pasur VV këtë vit, organizata është rritur vazhdimisht, raporton EO.
“Kemi pasur 5100 anëtarësime të reja, asnjë vit nuk ka qenë prej që jemi filluar me kaq shumë anëtarësime, në përditësimin e fundit që kemi pas rezulton se në VV janë 36.500 anëtarë dhe kemi pasur 146 pika të reja të lëvizjes në qytete të ndryshme”
Kurti tha se në vitin e ardhshëm Lëvizja synon të hap disa qendra të organizatës në mërgatë.
“Synimi i Lëvizjes do të jetë vazhdimi i anëtarësisë dhe pika të reja dhe zhvillimi i atyre ekzistuese, ndër të cilat objektiv kemi shtrirjen organizatës tonë në dy qendra në mërgatë, në vitin e ardhshëm do kemi qendrën e VV në ShBA dhe Francë, dhe do mundohemi të hapim qendrat tona në Greqi, Itali ku ka prezencë të madhe të mërgimtarëve”, tha ai.