Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke kujtuar 2 korrikun e vitit 1990, tha se kjo datë është tregues i ecjes historike, si dhe është një nga pikat kulmore të historisë së lëvizjeve legale dhe ilegale, para dhe pas kësaj date, me kërkesat e pandalura për barazi dhe liri.
Ai në Facebook ka shkruar sekujtimi dhe qasja serioze politike e studimore ndaj këtyre datave dhe këtyre proceseve na bën të njohim më mirë të tashmen, dhe të kemi të qarta kornizat politike e kombëtare të ecjes sonë në të ardhmen.
Postimi i plotë i Kurtit:
Lëvizja VETËVENDOSJE! me rastin e 27 vjetorit të 2 Korrikut, organizoi një diskutim mbi këtë ditë, me temën “Republika si rezistencë – 27 vjetori i 2 Korrikut”. Diskutimin e hapëm me ligjëratat e përgatitura prej meje dhe prej delegatit të atëhershëm, Adem Mikullovcit, tash i zgjedhur deputet i Lëvizjes sonë në Kuvendin e Kosovës.
Akti politik dhe juridik i shpalljes së deklaratës Kushtetuese më 2 korrik të vitit 1990, nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, ishte shprehje e kërkesave të popullit për liri dhe vetëvendosje politike. Republika e shpallur mendohej si rregullim juridik, politik, shoqëror dhe ekonomik, që do t’u sillte shqiptarëve barazi, drejtësi, liri dhe mirëqenie. Data 2 korrik e vitit 1990 si shpallje e Republikës, është tregues i ecjes historike. Ajo është një nga pikat kulmore të historisë së lëvizjeve legale dhe ilegale, para dhe pas kësaj date, me kërkesat e pandalura për barazi dhe liri.
Adem Mikullovci na i solli kujtimet e atyre ditëve, e i rikujtoi për të disatën here ditët nga shpallja e Republikës si veprimtar e akter i rezistencës së atëhershme e si delegat i Kuvendit që më pas solli si rezultat shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut, më 7 shtator 1990, gurthemelin juridik të Republikës së parë. Pavarësisht tensionit dhe kërcënimeve të shumta, Adem Mikullovci me shumë delegatë të tjerë, akademikë e studentë, bujq e punëtorë e në përgjithësi me të gjithë qytetarët, nuk u dorëzuan deri sa e shpallën Republikën si rezistencë. Republikën e Kosovës.
27 vjetori i shpalljes së Republikës së Kosovës me datën 2 Korrik, është për mendimin tim, një datë e rëndësishme kur e kupton këtë si ecje historike. Lëvizje kishte edhe para edhe pas, ajo nuk nisi në 2 korrik 1990. Por këto data përcjellin tensionin historik, ato reflektojnë ecjen, në antagonizëm me okupatorin, Serbinë.
Kujtimi dhe qasja serioze politike e studimore ndaj këtyre datave e këtyre proceseve na bën të njohim më mirë të tashmen, dhe të kemi të qarta kornizat politike e kombëtare të ecjes sonë në të ardhmen.