Kurti: 3.8 milionë euro investime në efiçiencë të energjisë në 13 objekte shkollore

Prishtinë | 02 Sht 2026 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë vizitës në ShFMU “28 Nëntori” në Viti është parë nga afër investimi prej rreth 118 mijë eurosh në efiçiencën e energjisë.

Sipas Kurtit, investimi ka përmirësuar kushtet në ambientet e shkollës, duke i bërë ato më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, ndërsa njëkohësisht synon edhe uljen e shpenzimeve për energji.

“Ky është një nga 13 objektet e transformuara ose në proces transformimi në Viti, Podujevë, Lipjan dhe Shtime”, ka shkruar Kurti në një postim.

Ai ka bërë të ditur se për këto projekte janë investuar gjithsej 3.8 milionë euro, ndërsa këtyre u janë shtuar edhe 125 objekte të tjera shkollore të rinovuara më herët në gjithsej 21 komuna të Kosovës.

Kurti ka theksuar se krahas përmirësimit të kushteve në shkolla, Qeveria po investon edhe në arsim dhe mundësi për fëmijët dhe të rinjtë, përmes teksteve dhe materialeve mësimore, shtesave për fëmijë, bursave për studentë dhe arsimit të lartë pa pagesë.

Në fund të postimit, kryeministri ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për një vit të mbarë shkollor, duke u dëshiruar shëndet, dije dhe suksese.

Të ngjashme