Kurti: Afër gjysmë miliardi euro shuma e investimeve direkte austriake në Kosovë

Prishtinë | 04 Nën 2024 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, qëndrimin në Vjenë të Austrisë, e filloi me një takim dhe bashkëbisedim me bashkatdhetarët tanë dhe miq të Kosovës nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Austri. Së bashku me kryeministrin Kurti ishte edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ai theksoi që Austria është një vend partner, aleate e mike e Republikës sonë e cila ka kontribuar edhe historikisht edhe aktualisht, edhe sa i përket mbrojtjes e sigurisë sonë, por edhe sa i përket ekonomisë e kulturës, për çka shteti dhe populli i Kosovës janë gjithmonë mirënjohës. Me këtë rast, ai i shprehu mirënjohje edhe mysafirëve nga Austria dhe pjesëtarëve të grupit të miqësisë Kosovë-Austri që ishin të pranishëm mbrëmë në këtë organizim, dukë dëshmuar kështu raportet e mira dhe miqësinë që vazhdon.

“Politikanë, aktivistë austriakë që nga vitet ’90-ta e deri në kohët e fundit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë emra aktiv për opinionin publik në Kosovë. Me këtë rast unë kisha dashur të theksoj Alois Mock, i cili si ish-ministër i Punëve të Jashtme, u bë zë i fuqishëm për vendin dhe popullin tonë në vitet e ’90-ta, e po ashtu edhe ish-kancelari Franz Vranicki e veçanërisht zëvendëskancelari i tij Erhard Busek, e natyrisht edhe diplomatë si, Fürst Albert Rohan, aktivistë edhe intelektualë si, Christine von Kohl, e deri tek parlamentarët evropianë të kohëve të fundit si, Ulrike Lunacek e Lukas Mandl”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti tha se lidhjet tona janë historike, janë kulturore dhe se është i lumtur që përveç mbështetjes politike me Austrinë edhe lidhjet ekonomike edhe tregtare janë duke u rritur.

“Eksportet dhe importet ndërmjet dy vendeve tona, ndërmjet Kosovës dhe Austrisë janë gjithnjë duke u shtuar, ndërkaq sipas Bankës Qendrore të Kosovës është duke ju afruar gjysmë miliardi eurove shuma e investimeve direkte austriake në vendin tonë. Më Austri e kemi rrjetin e bizneseve shqiptare të diasporës në Austri, ndërkaq në Kosovë e kemi Zyrën Komerciale të Odës Ekonomike të Austrisë”, tha ai.

Duke përmendur shembuj dhe histori të suksesit të investimeve të mërgatës sonë, dhe mundësitë që Kosova ofron bashkë me mbështetjen që Qeveria jep përmes Dritares së Investimeve të Diasporës, kryeministri u bëri thirrje që të vazhdojnë të investojnë në vendin tonë dhe të hulumtojnë mënyra e mundësi sesi mund të ushtrojnë profesionet e tyre edhe në Kosovë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja Gërvalla nga aty u bëri thirrje bashkatdhetarëve tanë të regjistrohen në kuadër të procesit të regjistrimit online të popullsisë që po vazhdon për diasporën tonë deri në fund të vitit, duke theksuar rëndësinë e të dhënave nga regjistrimi në planifikimin dhe ofrimin e shërbimeve për ta nga ana e institucioneve tona siç është mësimi i gjuhës shqipe. Ajo gjithashtu u bëri thirrje bashkatdhetarëve tanë që të regjistrohen për votim për mërgata në mënyrë që të mund të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës që në zgjedhjet e ardhshme për herë të parë mund ta bëjnë fizikisht apo përmes postës në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës. Zëvendëskryeministrja Gërvalla falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe për punën e palodhur të gjithsecilit prej bashkatdhetarëve tanë ndër vite.

Në Austri llogariten të jenë afër 100,000 qytetarë nga Kosova që jetojnë, punojnë e studiojnë në Austri dhe që kontribuojnë për të dyja vendet.

Kryeministri Kurti sot do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Të ngjashme