Kurti ankohet se “moratoriumi” i nënshkruar nga Hoti në Washington ia ndalin hovin diplomacisë së tij

Prishtinë | 05 Nën 2023 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, i cili ka ardhur në pushtet qe gati tri vjet, ende ia lë fajin “moratoriumit” për mosaplikim në organizata ndërkombëtare që Ish-kryeministri Avdullah Hoti, si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit.

Moratoriumi vlente vetëm një vit dhe ka skaduar më 4 shtator 2021. Por kryeministri aktual konsideron se ai moment ia ka ndalë “hovin” diplomacisë së jashtme të Kosovës.

Kurti ka vazhduar me proklamamin e “të arriturave” të qeverisjes së tij, në Facebook. Të dielën ai ka folur vetëm për suksese në politikën e jashtme.

Në mesin e sukseseve ai ka radhitur aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian (një proces që në rastin më të mirë do të marrë 10-20 vjet) dhe anëtarësimi në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (një nismë vullnetare ndërkombëtare).

“Ministria e jonë e Punëve të Jashtme realizoi mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit. Vendi ynë mirëpriti 60 vizita të delegacioneve të larta, dhe morëm pjesë në afër 50 Konferenca ndërkombëtare. Nënshkruam 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme”, ka shkruar Kurti.

POSTIMI I PLOTË:

Pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që kishte vendosur Qeveria që u drejtua nga tani deputeti Hoti, politika jonë e jashtme kishte nevojë për një hov të ri. Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Ministria e jonë e Punëve të Jashtme realizoi mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit. Vendi ynë mirëpriti 60 vizita të delegacioneve të larta, dhe morëm pjesë në afër 50 Konferenca ndërkombëtare. Nënshkruam 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme.

Objektet e ambasadës së Kosovës në ShBA dhe Mbretëri të Bashkuar i kthyem në pronë të Kosovës, duke i bërë ato shtëpi të përhershme të Republikës sonë në këto dy vende mike të pazëvendësueshme. Ngjashëm vepruam edhe në shtetin e Senegalit. Do të vazhdojmë me blerjen e objekteve për të demonstruar seriozitetin e vendit tonë dhe njëkohësisht për të kursyer qiratë e larta që janë paguar.

Mirëmbajtëm marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët tanë. Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë.

Në të njëjtën kohë u angazhuam edhe për miqësi të reja dhe raporte më të afërta. Gjithçka është gati për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Poloni. Vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor. Avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, një nga pesë vendet mosnjohëse në BE.

Vendosëm ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme. Si rezultat, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit.

E politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë partnerët tanë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën. Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.

Të ngjashme