Lëvizja Vetëvendosje duhet të vijë në pushtet sepse populli i Kosovës është zhgënjyer nga qeverisjet e deritanishme. Kështu tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së 32-të të Këshillit të Përgjithshëm, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se është mirë që muajt shkurt, mars dhe prill të shpallen muaj të anëtarësimeve të reja në Lëvizjen Vetëvendosje. Prej marsit deri në korrik do të duhej të organizoheshin zgjedhjet në qendrat kryesore të Lëvizjes.
Sipas Kurtit, detyrë e Lëvizjes së Vetëvendosjes është vendosja e Kosovës në binarët e zhvillimit dhe forcimit dhe për këtë është e rëndësishme që të qeverisë VV-ja.
“Rritja dhe zgjerimi i organizatës, emancipimi dhe ngritja e aktivistëve, sidomos e të rinjve, lufta ndaj diskriminimit, forcimi i qendrave, rritja e bashkëpunimit me sindikata, shoqëri civile, medie, promovimi i figurave me aftësi profesionale e politike, të gjitha këto do të jenë prioritet për Lëvizjen tonë”, tha Kurti.
Në fund, Kurti u bëri thirrje vartësve të tij që të jenë të palodhshëm në mënyrë që t’i realizojnë pritjet e qytetarëve.
“Duhet të jemi të palodhur që t’u përgjigjemi nevojave të qytetarëve, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e zhgënjejmë asnjërin prej tyre”.
Në pjesën e dytë të mbledhjes, e cila u mbajt pa prezencën e medieve, Këshilli ka diskutuar për raportin e shpenzimeve për zgjedhjet lokale, planbuxhetin për vitin 2018 si dhe çështjet e organizimit dhe të funksionimit të brendshëm.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/vv-zevendeson-te-dorehequrit-5-emrat-e-rinj-ne-kryesi/