As dëshmorët nga varret nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës, e lëre më njerëzit e gjallë. Kështu është shprehur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili shtoi se qytetarët, e kanë mendjen tek papunësia dhe varfëria, që sipas tij, ka kapluar vendin, raporton Ekonomia Online.
“A e dini pse qytetarët nuk duan status kuo, sepse e kanë mendjen tek papunësia, varfëria. Brezi i sotëm është mjaft i pasigurt. Kundërshtimi i status kuo është me shumë kundërshtim socio-ekonomik. As dëshmorët nga varret nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës e lëre më njerëzit e gjallë”, tha Kurti.
Këto komente, kreu i VV-së , i bëri në konferencën me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, i organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).
Sipas Kurtit, Serbia e ka të qartë se çfarë dëshiron nga Kosova, që është kufizim me shqiptarët përmes ndarjes.
“33 marrëveshje janë të nënshkruara. 33 marrëveshje Kosovë serbi nuk janë kanë ndryshuar mendjen vendeve mos-njohëse të Kosovës. Ne e dimë çka donë Serbia. Ajo e thotë hapur e qartë, kufizim me shqiptarët përmes ndarjes së shqiptarëve. Projekti është i vjetër. Ne e dimë çka duan ata por a e dimë çka duam ne. Unë jam shume optimist që për kërkesat tona ndaj Serbisë ne do të arrimë konsensus”, tha Kurti, raporton Ekonomia Online.
Sipas kreut të Vetëvendosjes, duhet bërë një dokument që i drejtohet Qeverisë së Serbisë, si borxhlinj.
“Pse nuk po e bëjmë një dokument zyrtar shtetëror për kërkesat tona për qeverinë ndaj shtetit të Serbisë si borxhli. Karshi Serbisë nuk është i rëndësishëm vetëm konsensusi i tyre por edhe fuqia e shtetit. Për kërkesat tona ndaj Serbisë ne duhet ta forcojmë edhe shtetin tonë. Serbët e Kosovës duhet të kenë prioritet karshi serbëve në Serbi. Vitin e kaluar u vra Ivanovic dhe është hera e parë qe kur u vra një serb nuk u drejtua gishti drejt shqiptarëve por drejt serbëve”, tha kreu i VV-së.
Sa i përket vitit 2018, Kurti tha se nuk duhet të shtiremi se nuk ka marrëveshje ndërmjet dy shteteve.
“Viti 2018 ka qenë një vit i asaj që nuk ka ndodhur, korrigjim i kufijve. Së pari nuk ndodhi korrigjimi i kufirit me Malin e Zi dhe së dyti nuk ndodhi as korrigjimi i kufijve me Serbinë si kompromis i dhimbshme. E para është keq e dyta është mirë. Le të mos shtiremi qe nuk kemi marrëveshje me Serbinë”, shtoi Kurti.