Kurti bën homazhe në Krushë të Madhe: Ta forcojmë ushtrinë dhe policinë, të mbrohet çdo metër katror i territorit

Prishtinë | 13 Pri 2025 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri homazhe në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Dalip Behra dhe Bekim Gashi, në 26-vjetorin e rënies së tyre. Ai me këtë rast tha se historia nuk është e largët dhe se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë.

Kurti theksoi se duhet forcuar ushtrinë, policinë dhe të mbrohet çdo metër katror i territorit.

“Teksa i përkujtojmë Dalip Behrën dhe Bekim Gashin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, ne duhet t’ia kujtojmë vetes edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, se historia nuk është diçka e largët, që e mësojmë nga gjyshërit ose nga librat e historisë, pra ajo ndodhet thellë në lëkurën, zemrat, mendjen dhe ashtin e secilit prej neve, me qenë se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm”, tha Kurti.

Të ngjashme