Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka inkurajuar zyrtarët shtetërorë e studentët që ta mësojnë gjuhën franceze. Gjatë vizitës së tij në Institutin Francez të Kosovës, Kurti tha se mësimi i kësaj gjuhe është një dritare e jashtëzakonshme për kulmimin e cilësisë së artit edhe kulturës, raporton Ekonomia Online.
Së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kreu i ekzekutivit ka parë më nga afër hapësirat, kapacitetet si dhe është njoftuar më shumë për veprimtarinë e Institutit.
“Mësimi i gjuhës frënge është një përparësi shumë e madhe sepse të gjithë ata të cilët pëlqejnë letërsinë franceze, që dëgjojnë muzikë franceze, që shikojnë filma francez, është mire të din edhe frëngjisht. Unë inkurajoj zyrtarët publikë të shtetit tonë por edhe studentë e profesorët, ndërmarrësit që ta konsiderojnë vizitën në institutin francez dhe mësimin e gjuhës frënge këtu, që është një dritare e jashtëzakonshme për kulmimin e cilësisë së artit edhe kulturës. Instituti francez në Kosovë në kuadër të Ambasadës Franceze është urë e re midis Kosovës edhe Francës, midis gjuhëve tona dhe midis njerëzve tanë”, tha Kurti.
Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tregoi për punën që bën ky Institut.
“Instituti Francez është inauguruar në mars të këtij viti nga presidentja Osmani. Ajo që po bëjmë sot është lansimi i kurseve të gjuhës dhe deshëm që t’ja prezantojmë kryeministrit. Instituti po bënë gjëra të shkëlqyeshme dhe është partner i bashkëpunimit. Kemi një program gjysmë milion eurosh me festivali ‘Anibar’. Do të ofroj edhe kurse gjuhe nga mesi i shtatorit kjo është arsyeja e këtij organizmi”, tha ambasadori.