Kurti: Shpresojmë në një kandidaturë të dytë për president, pasdite vazhdojmë përpjekjet

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti mbetet me shpresën që brenda ditës do të jetë edhe një kandidat i dytë për president në mënyrë edhe që të mbahet seanca e votimit për presidentin/presidenten, raporton Ekonomia Online.

“Sapo mbaruam mbledhjen e qeverisë që i dedikohet epopesë së UÇK-së. Tash kemi edhe një seancë solemne për epopenë e UÇK-së. Pastaj e kemi parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha ai.

Sot është dita e fundit për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. 

Të mërkurën u raportua për mbajtjen e një seance, por që ajo nuk u thirr në mungesë të plotësimit të kushtit që të jenë dy kandidatë në garë për kryetar të shtetit. 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një paraqitje publike mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është i vetmi kandidat i propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të grupit multietnik

Por që sipas saj seanca nuk mund të mbahet me vetëm një kandidat. 

Të ngjashme