Kurti për çështjen e presidentit: Murat Jashari, zgjidhja e duhur në momentin e duhur

Prishtinë | 01 Mar 2026 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje foli edhe për çështjen e presidentit, duke thënë se sipas tij kandidat i duhur është nga familja Jashari, përkatësisht Murat Jashari, raporton Ekonomia Online.

Kurti theksoi nevojën për një proces institucional dhe të përgjegjshëm në përzgjedhjen e presidentit të vendit.

“Pas formimit të qeverisë, kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion, por gjithmonë pa harruar faktin se përzgjedhja e Presidentit nevojiten 80 vota në Kuvend. Kam qenë plotësisht i vetëdijëshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka votat. Për këtë arsye, menjëherë kam vendosur kontakte me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, me qëllim që të diskutojmë për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive dhe fillimisht ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese”, u shpreh ai.

Ai theksoi se një figurë e tillë do të ishte e pranueshme për të gjithë spektrin politik.

“Një figurë e tillë, padiskutueshme për të gjithë, sigurisht do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë e profesorit e personalitetit si Murat Jashari do të gëzonte mbështetjen e gjithë spektrit politik, do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike, nga lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Afërme dhe tensionet në Lindjen e Mesme, si dhe kërcënimet e sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në Kanalin e Ibër-Lepencit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga fqinji ynë verior, kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë e cila i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë”, tha ai.

Të ngjashme