Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot pasdite ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, njofton zyra e tij.
Sipas njoftimit, Kurti e falënderoi Sekretarin Blinken për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të ShBA-ve për Republikën e Kosovës, si dhe “e informoi atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit”.
U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim. “Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”.
“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti dhe Blinken u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur “në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.