Kurti: Çdo marrëveshje që nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit (Video)

Prishtinë | 30 Dhj 2023 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë një adresim në prag të vitit të ri, ku ndër të tjera, i ka siguruar qytetarët se çdo marrëveshje me Serbinë që do të nënshkruhet do të jetë në të mirë të Kosovës.

Sipas tij, bashkëpunimi me aleatët përfshinë edhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“E ky bashkërendim me partnerët tanë perëndimor, merr edhe më shumë rëndësi kur siguria e Evropës dhe rajoneve të ndryshme anekënd botës, po kërcënohet nga forca destabilizuese. Republika e Kosovës merret si shembull i shtetit të së drejtës, parimeve demokratike dhe antitezë e autokracisë dhe tiranisë”, ka thënë Kurti.

“Bashkëpunimi ynë me aleatët përfshin qasjen tonë konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me synimin për të sjellë paqe dhe siguri dhe për të hequr barrën që do ta ngadalësojë rritjen dhe prosperitetin tonë. Në këtë proces të vazhdueshëm, dhe në bisedimet shumë të gjata që kanë paraprirë e do të vazhdojnë, do të doja të siguroja qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendin ligjor të vendit tonë”, është shprehur ai.

Tutje, ai ka shtuar se Kosova është në prag të një të ardhme që është më afër asaj se çka e meriton dhe për të cilën është punuar intensivisht.

“Liberalizimi i vizave hyn në fuqi të hënën e 1 janarit, pra pasnesër, duke i dhënë fund një pritjeje shumëvjeçare të qytetarëve tanë”, është shprehur Albin Kurti.

Më poshtë mund ta dëgjoni fjalimin e tij të plotë:

Të ngjashme