Çdo vit ka 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve do të shtohen deri në përfundim të mandatit, ka premtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, Kurti ka thënë se aktualisht numri total i fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, që përfitojnë shuma mujore prej 100 euro për fëmijë siç e parasheh ligji përkatës, është 2682
“Është e vlefshme që takime të tilla të bëhen sa më të shpeshta për ta rritur bashkëpunimin tonë me njëri-tjetrin sepse nuk kemi të bëjmë në këtë rast vetëm me shëndetin por edhe me të drejtën PRa kemi të bëjmë me çështje të së drejtës, e cila është e garantuar me Kushtetutë e me ligjet tona por jemi të gatshëm se mbrojtja me Kushtetutë e me Ligj duhet t’i zgjerojë kapacitetet tona të zgjerimit. Njerëzit tanë për të cilët po flasim këtu, trajtimi ndaj tyre është treguesi themelor i cilësisë dhe shkallës së demokracisë”, tha Kurti.
“Rasti i fëmijëve autist nuk dëshmon për deficit për dëshirën e tyre për marrëdhënie shoqërore por vetëm nevojë e tyre për shoqërim më të matur, më të hollë e më të rregullt. Për prindërit është sfidë përfshirja e nxënësve me autizëm në sistemin shkollor, megjithëse këtë e parasheh ligji kjo sepse është i nevojshëm asistimi në orarin e rregullt mësimor, prandaj gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve, dhe do të shtohen çdo vit nga 100 asistentë deri në fund të mandatit. Aktualisht numri total i fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, që përfitojnë shuma mujore prej 100 euro për fëmijë siç e parasheh ligji përkatës, është 2682”, tha Kurti.
E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se kjo kategori ka të drejtë të gëzojë standardet më të larta të mundshme shëndetësore dhe edukative pa diskriminim duke ju siguruar e garantuar shërbime, përfshirë identifikimin e hershëm dhe të mundësojmë ndërhyrjet qoftë në rrafshin e diagnostikimit të hershëm, qoftë në kuptimin terapeutik sipas rasteve.
“Do të angazhohemi që për fëmijët me autizëm të sigurojmë hapësirat e nevojshmë për mbajtjen e seancave terapeutike nga profesionistët me përvojë për të përmirësuar shëndetin e tyre dhe lehtësuar barrën familjare.
Ministri Latifi tha se viti 2022 është shpallur nga Qeveria e Republikë së Kosovës si vit i personave me aftësi të kufizuara-Mundësi të barabarta për të gjithë, prandaj me qëllim të zbatimit të Kalendarit të aktiviteteve për këtë vit për personat me aftësi të kufizuara, ka themeluar Grupin punues për zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve që dalin si obligime për fushën e shëndetësisë nga ky kalendar i aktiviteteve. Sa i përket trajtimit të personave me autizëm ai tha se “duhet një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon metodat edukative dhe ato terapeutike”.
Ministrja Nagavci tha se Dita Ndërkombëtare e Autizmit “synon të ofrojë mundësi për të rritur më tej ndërgjegjësimin për fëmijët me autizëm dhe çështjet që lidhen me edukimin dhe arsimimin e tyre, si shtylla kryesore për pjesëmarrjen e tyre në shoqëri dhe të modelojmë të ardhmen e zhvillimit për të gjithë”.
Qëllimi i konferencës së sotme ishte që të diskutohen nevojat, prioritetet dhe të drejtat e personave me autizëm, mbledhja e të dhënave, zhvillimi i statistikave, vendosja e prioriteteve në planin e punës, si dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit të institucioneve me shoqërinë civile. Në këtë konferencë të pranishëm ishin, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, aktivistja për të drejtat e personave me autizëm, Shpresa Xhakli, Drejtori i shoqatës “Autizmi”, Cenë Krasniqi, Drejtorja e organizatës ANAK, Jeta Deva, Drejtorja e organizatës “Autizmi Flet”, Violeta Hyseni, Kryetari i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu si dhe prindër, punonjës profesionalë e shëndetësorë.