Kurti: Çlirimi e shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fortë, do të kemi strategji për drejtësi tranzicionale

Prishtinë | 13 Qer 2024 | 11:06 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë, se Kosova për herë të parë që prej çlirimit, do të ketë strategji për drejtësi tranzicionale, raporton Ekonomia Online.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se kjo është një hap përpara për të realizuar përpjekjet e tyre në adresimin e planeve.

“Për herë të parë pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës do të ketë Strategji për Drejtësi Tranzicionale. Populli i Kosovës ka kaluar nëpër sfida të mëdha, ka përjetuar dhimbje e vuajtje të pamatshme. Ky dokument strategjik është edhe një hap përpara në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë. Miratimi i kësaj strategjie është vetëm hapi i parë. Zbatimi i saj kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetje nga të gjithë ne. Përkushtimi i shfaqur në hartimin e kësaj strategjie, jam i bindur që do të vazhdojë edhe në zbatimin e saj”, tha Kurti.

Me tutje, Kurti falënderoi ndihmën e miqve e aleatëve ndërkombëtarë, duke përmendur ish-shefin e OSBE-së, William Walker.

“Ky njeri i jashtëzakonshëm, ishte ai që ngriti zërin për padrejtësitë dhe mizoritë të cilat po ndodhnin në vendin tonë. Me guxim dhe integritet, ambasadori Walker dhe Misioni Verifikues i OSBE dokumentuan dhe dëshmuan krimet e rënda që po kryheshin nga Serbia ndaj popullit tonë. Raportet nga terreni shërbyen si një thirrje për ndërgjegjen ndërkombëtare dhe nxitën reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Ai angazhim dhe ato dëshmi ishin katalizatorët që çuan në ndërhyrjen e NATO-s. Puna dhe përkushtimi i ambasadorit Walker me ekipet e tij ishin thelbësore për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare që na ndihmoi të arrijmë lirinë tonë. Andaj një falënderim i veçantë për të gjithë ato gra e burra, anëtarë të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, rreth 1400 sosh, mirënjohje për secilën e secilin që u angazhuan në këtë mision për afro gjashtë muaj, nga tetori i vitit 1998-të deri në marsin e vitit 1999-të”, theksoi shefi ekzekutivit.

Kurti po ashtu përmendi edhe statistika në fushën e ekonomisë, duke thënë se vendi ka shënuar përmirësim 5 herë më të madh se në vitin 2000.

“Ekonomia e vendit tonë sivjet do të jetë 5 herë me i madh se në vitin 2000, nuk po e krahasojmë me vitin 1999, kur ishte vit i kthimit të refugjatëve pas luftës, por po e krahasojmë me vitin, 2000. Pas më pak se 25 vjetëve ekonomia është rritur 5 herë në gjysmë. Ndërkaq krahasuar prej shpalljes së pavarësisë, është rritur brutoprofukti vendor gati tri herë me i madh se atë vit, kurse krahasuar me 4 vjet më herët, sivjet e kemi 50% më të lartë bruto-produktin vendor. Qytetarët gjithashtu janë me të lirë, shteti është më i pavarur dhe më i lirë se kurdo herë më parë, qeverisja po bëhet përherë e më e mirë, pra çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare, shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fortë edhe në aspektin e rritjes ekonomi edhe në aspektin e demokracisë qytetare”, tha Kurti.

Të ngjashme