Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka folur para marshit protestues të cilët u grumbulluan para Prokurorisë së Shtetit, në 3-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit. Aty, po kërkohet mbi të gjitha drejtësi për Astritin, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se patjetër për Deharin duhet një hetim i ri dhe i pavarur, i paanshëm, profesional e ndërkombëtarë.
“Tri vjet pa Astritin janë shumë. Janë shumë vjet, për të gjithë ne. Jemi tronditur të gjithë atë ditë kur e arrestuan Astritin. Jemi tronditur kur e akuzonin pa aktakuzë, kur e mbanin në burg pa e marrë në pyetje e kur na thanë se nuk do ta shohim më”, nisi fjalimin e tij Kurti.
Kurti ka kujtuar se janë bërë 3 vjet padrejtësi për Deharin, dhe ka akuzuar fillimisht kryepolicin e rajonit të Pejës, për të cilin tha se ishte i pari që nisi gënjeshtrat për vdekjen e Deharit.
“Në qelinë A3 të Burgut të Prizrenit, e kanë mbytur një njeri të pafajshëm. Ekspertiza ligjore qysh atëherë ka konstatuar që për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste, e në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalë pozitiv. Ka qenë plotësisht i shëndoshë. I pari që foli atëbotë nuk ishte drejtori i burgut, as i Ministrisë së Drejtësisë, por kryepolici i rajonit të Pejës, Nexhmi Krasniqi, thua që Astriti na vdiq në rrugë. Ai gënjeu për çdo deklaratë të tij. Nëse Astriti do të lihej në liri ose në detyrim të paraqitjes në polici, prokurori do të duhej të mos ngutej”, tha ai.
“Kryepolici i rajonit të Prizrenit, pati thënë se Astriti ka vdekur nga doza e tepërt, kryeprokurori Sylë Hoxha, konstatoi se Astriti është vrarë pa u bërë hetimet, kjo tregon se edhe në polici edhe prokurori s’kemi pasur drejtësi, por ka ekzistuar një qëllim para drejtësisë. Ata patën qëllim tendencioz. Raporti i autopsisë në Prishtinë tha se shkaku i vdekjes është bllokimi i frymëmarrjes, me shishen e plastikës. Raporti nga Instituti zviceran, praktikisht e rrëzoi këtë dhe solli të reja fakte”, tha ai.
Kurti tha se tash nevojitet hetim i pavarur e profesional, jo vetëm për Astritin, por edhe procesin e padrejtësive.
“Astriti u mbyt nga regjimi sepse s’mund të merrej në pyetje. Në Kosovë, drejtësia e sistemi, është bërë vend i krimit, në rastin më të rëndë në mbytjen e Deharit”, tha Kurti.
Rreze Hoxha, përfaqësuese e shoqërisë civile, ka kërkuar nga shteti që të vihet para drejtësisë dhe fajtorët të japin përgjegjësi për këtë rast.
“ Fatkeqësia që ra mbi Astritin është rasti shembull fatkeq i dështimit të shtetit për mbrojtjen e tij në Qendrën e Paraburgimit. Këto tri vjet kanë qenë të vështira për të gjithë neve. Tri vjet familjarëve të tij u është mohuar e drejta për të vërtetën. Publikimi i raportit të Zvicrën i ka dhënë të drejtë familjes për hetim. Në këtë marsh kërkojmë që shteti të vihet para përgjegjësisë për Astritin që u burgos”, tha ai, raporton EO.
Profesoresha e Astrit Deharit, Hatixhe Latifi-Pupovci, tha se e ka të vështirë të flas për studentin e tij ngase sipas saj Dehari ishte shembull se si duhet të luftohet për kauzat.
“Ai dha shembull si duhet të luftohet për kauzat. Astritin e njoha në Fakultetin e Mjekësisë, ishte djalë i buzëqeshur, aktivist i shkëlqyer. Bashkë protestuam për një universitet më ndryshe i zhveshur nga format e korrupsionit. Astrit Dehari u vra në duar të shtetit, në institucion, në vendin ku s’ka guxuar të ndodhë diçka e tillë. Astriti u vra për të dytën, tretën e katërtën herë. Ndaj tij është kryer krim i shtrembërimit të vërtet të vrasjes”, tha ajo, raporton EO.
Nga familja e të ndjerit Astrit Dehari foli Destani.
“Sot mas tri vjetëve që ndriçimi i rastit të Astriti të vie sa më shpejt që të zbardhen edhe raste të tjera duke shpartalluar rrjetin e kriminelëve në petkun e ministrit të shtetit që i mbron e jo shtetit që i vret”, tha ai, raporton EO.