Kurti: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut artikuloi vullnetin politik të popullit për Republikë

Prishtinë | 02 Kor 2023 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, në 33 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ka thënë se ky dokument artikuloi vullnetin politik të popullit që i kishte zgjedhur ata delegatë, për një Republikë të Kosovës.

“E hartuar si një “akt i vetëvendosjes politike” duke u thirrur “në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve”, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit tonë si komb, për republikën e parë të Kosovës”, ka shkruar kryeministri.

Shkrimi i plote:

Në 33-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990

Në historinë e përpjekjeve për Republikën e Kosovës, data e 2 korrikut e vitit 1990, është një kapërcim i madh dhe i pakthyeshëm! Atë ditë të hënë, plot 33 vite më parë, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, shpallën dhe miratuan një deklaratë kushtetuese, me anë të së cilës artikulohej vullneti politik i popullit që i kishte zgjedhur ata delegatë, për një Republikë të Kosovës.

E kërkuar veçanërisht nga demonstratat e vitit 1981 e tutje, Republika e Kosovës për të cilën u miratua kjo deklaratë kushtetuese, do të shpallej dy muaj më vonë më 7 shtator 1990 në Kaçanik, me anë të miratimit të një kushtetute nga po këta delegatë. Ndonëse atë kohë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës e viteve ’90-të të shekullit të kaluar, u jetua politikisht dhe u mirëmbajt intensivisht nga populli i Kosovës si një republikë për rezistencë ndaj Serbisë fashiste, e cila Kosovën e pushtuar në vitin 1912, po e mbante të okupuar nën Jugosllavi.

E hartuar si një “akt i vetëvendosjes politike” duke u thirrur “në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve”, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit tonë si komb, për republikën e parë të Kosovës.

Duke kujtuar 114 delegatët që e nënshkruan Deklaratën e 2 korrikut 1990 dhe të gjithë ata që e mbajtën në këmbë Republikën e Kosovës të pasuar prej saj.

Të ngjashme