Kurti, delegacionit danez: Kosova meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 28 Gus 2024 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, ka mirëpritur të mërkurën anëtarë nga delegacioni danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilëve ua shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e tyre aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në avokimin në përkrahje të Kosovës, të cilat, sipas Kurtit, pasqyrojnë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta.

Sipas njoftimit për media, Kurti ka rikujtuar në takim votën pro në shumicë të përfaqësuesve nga Danimarka (4 nga 5) por edhe në total të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – me 82 përqind të votave në favor – në prill të këtij viti, duke rekomanduar që Komiteti i Ministrave të ftojë Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e organizatës.

Kryeministri theksoi se “ky rekomandim ishte një moment historik dhe i rëndësishëm, që reflekton përafrimin e Kosovës me standardet dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

“Demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë tri shtyllat kryesore të Këshillit të Evropës në të cilat Kosova ka bërë progres të madh në rajon dhe ka një kornizë ligjore të avancuar me të drejta të zgjeruara për komunitetet pakicë”, theksoi Kurti.

Ai thuhet se e njoftoi delegacionin me progresin në avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe theksoi se “nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sidomos komunitetet jo shumicë të cilat përfitojnë nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”.

Kurti, sipas njoftimit, “nënvizoi suksesin e Kosovës në demokraci dhe socio-ekonomi përkundër përpjekjeve destabilizuese e agresive të Serbisë pro-ruse”.

Kreu i ekzekutivit tha se “Republika e Kosovës meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, pasiqë i ka përmbushur plotësisht standardet, kriteret, kushtet dhe parakushtet e nevojshme për anëtarësim të plotë në këtë organizatë”.

Ndër të tjera, Kurti foli edhe për raportet shumë të mira bilaterale mes Kosovës dhe Danimarkës dhe i falënderoi deputetët për kontributin e vazhdueshëm të Danimarkës në çlirim dhe zhvillim të Kosovës, duke theksuar orientimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Të ngjashme