Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dënimi i aktivistëve të Vetëvendosjes përveç urdhër politik është hakmarrje ndaj tyre.
Ai tha se ende pa filluar gjykimi, Policia kishte bërë ndëshkimin. Ai shtoi se Policia luante rolin e gjykatës ndërsa gjykata luante rolin e Policisë, raporton Ekonomia Online.
”Gjykimi nuk kishte filluar ende mirëpo policia tashmë kishte bërë ndëshkimin ajo po na dënonte publikisht në studiot televizive. Gjykata bëhej e ashpër sepse policia ishte brutale, gjykatësit nuk i interesonin provat sepse as policisë nuk i interesonin ato. Gjykatësi nuk është marr me të pandehurit sepse ai vet është marr nga policia. Policia tashmë na e kishte bërë gjyqin e natyrisht tani gjykatësi në seancë na e bënte policin. Urdhërat politik janë shkaku, megjithëkëtë nuk besoj që kjo shterr shkaqet. Kishte diçka më shumë se kaq diçka më tepër sesa urdhëri politik… unë besoj që kjo ishte hakmarrje”, ka thënë Kurti.
Ai tha se Policia po hakmerrej për protestat që kishin qenë nga ana e LVV-së në 20 muajt e fundit, dhe që sipas tij prokuroria dhe gjykata nuk posedonte prova për dënimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Policia hakmerrej për protestat që kishin qenë në 20 muajt e fundit. Nuk ishte hera e parë, më 28 nëntor të vitit 2015 ishin thyer zyrat nga njësia antiterror që nuk ishte vepruar as në veri të Kosovës. Arsyetimi i 6 aktivistëve ishte hakmarrja e dytë policore ndaj lëvizjes Vetëvendosje. As prokuroria dhe as gjykata nuk kanë arritur të mbledhin asnjë provë materiale që mund të dëshmojnë fajësinë e aktivistëve tanë… Të gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët dëshmojnë të kundërtën e vendimit që është ndërmarrë ndaj aktivistëve kjo është thënë edhe nga prokurori i rastit”, pohoi ai.
“Kur vdiq Astriti nuk foli as gjyqësia as prokuroria as ministria as burgu po foli policia. Drejtësia për Astritin dhe aktivistët është parakusht i drejtësisë së qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Kurti.