Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrat Elbert Krasniqi dhe Liburn Aliu dhe kryeshefin Ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, kanë përuruar fillimin e punëve për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “028” e “029” të Fushë-Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Kurti përmendi zotimin që ka dhënë për këta banorë në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet parlamentare. Ai tha se ky zotim po jetësohet e se punimet do të kryhen shpejt në mënyrë cilësore.
“E mbaj mend që me Elbert Krasniqi në ditën e fundit të fushatës në vitin 2021 kemi qenë në tubim te ju dhe u kemi thënë se do ta rregullojmë rrjetin e ujësjellësit për çka kemi ardhur sot. Punimet do të kryhen sa më shpejt dhe gjithashtu do të jenë cilësore për banorët e kësaj lagje së bashku me lagjen ‘29’ me Bardhin e Madh e Sllatinën e Madhe”, u shpreh Kurti.
Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se problemi i ujit ka qenë problemi kryesor për banorët e këtyre lagjeve, por se ky problem do të zgjidhet.
“Është kënaqësi që po takohemi prapë, jemi takuar shpesh dhe i dimë problemet e juaja dhe problemi i parë kryesor ka qenë problemi i ujit dhe po fillojmë ta zgjidhim këtë problem. Së bashku me ministrin Krasniqi kemi qenë këtu dhe i kemi diskutuar këto probleme dhe i dimë telashet e vështirësitë me të cilat përballeni por ju premtojmë se me vështirësitë e juaja do të përballemi edhe ne dhe do të përpiqemi t’i zgjidhim të gjitha”.
E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh i bindur se projekti do të përfundojë shumë shpejt e me sukses.
“Këtë projekt po e fillojmë sot dhe do ta përfundojmë shumë shpejt. Jemi të bindur se kurdo që kur të vijmë në inaugurimin e këtij projekti kemi me pas të rregulluar edhe ketë hapësirën sportive për të cilën kam marrë zotimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrullah Çeku”, tha Krasniqi.
Ndërsa, para kësaj vizite, Kurti dhe ministrat Aliu dhe Krasniqi, kanë vizituar fshatin Bardh i Madh, ku u bë inaugurimi i një pjese nga ky projekt.