Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi se i shoqëruar nga kryeministri Albin Kurti, ka vizituar kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.
Në këtë kazermë, Mehaj tha se disa grupe nxënësish po ndjekin ligjëratat dhe po zhvillojnë aktivitete praktike në kuadër të pilot-projektit të lëndës “Edukim për Siguri”.
“Sot bashkë me Kryeministrin Kurti, vizituam kazermën Skënderbeu në Ferizaj, ku grupe nxënësish po ndjekin ligjëratat e njëkohësisht po zhvillojnë dhe aktivitetet praktike në kuadër të pilotprojektit të lëndës Edukim për Siguri, që pritet nga shtatori të jetë pjesë e programit mësimor për më shumë se 2000 nxënës”, shkroi Mehaj në Facebook.
Sipas tij, përmes kësaj lënde, nxënësit do të marrin njohuritë elementare mbi sigurinë dhe mbrojtjen, me qëllimin që krahas shkathtësive dhe pandashëm nga edukimi i tyre arsimor të kultivojnë dhe ndjenjën e shërbimit ndaj atdheut, si obligim moral ndaj vendit.
“Falenderoj Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për bashkëpunimin e mbështetjen e ofruar në këtë projekt madhor për të ardhmen e vendit”.