Në ditën e parë të Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e këtij samiti në konferencë të përbashkët për media me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Sekretarin e Shtetit gjerman në Ministrinë Federale për Digjitalizim dhe Transport, Stefan Schnorr, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, digjitalizimi e rrit llogaridhënien e zyrtarëve e transparencën e proceseve në administratën publike.
“Digjitalizimi e ngrit cilësinë e shërbimeve, pastaj llogaridhënien e zyrtarëve dhe transparencën e proceseve në administratën publike, por padyshim edhe në industri, në ndërmarrësi, në edukim, në shëndetësi, e të tjera”.
“Në këtë samit po marrin pjesë më shumë se 200 biznese, do të ketë më shumë se sa 60 folës dhe mbi 30 organizata joqeveritare, në gjithsej 9 panele e 16 ngjarje anësore, të gjitha këto aktivitete të të gjitha grupmoshave nga Kosova, rajoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Diskutimet të cilët do të jenë në kuadër të agjendës së përbashkët digjitale, do të përqendrohen tek infrastruktura digjitale, siç janë fibrat optike dhe teknologjia 5G, pastaj aftësitë, kapacitetet digjitale, për një forcë, fuqi punëtore, e cila është e edukuar për sfidat e ekonomisë në të ardhmen, që gjithnjë e më shumë do të jetë e digjitalizuar”.
“Pastaj, siguria kibernetike, e cila duhet të sjellë qëndrueshmëri kibernetike të institucioneve, të bizneseve, të shtetit në përgjithësi, karshi sulmeve të ndryshme të mundshme. Dhe e fundit është, krijimi i një ambienti të favorshëm dhe konkurrues për bizneset inovative”.
Stefan Schnorr, sekretar i Shtetit në Ministrinë Federale për Dixhitalizim, tha se ky Samit është platforma më e mirë për t’i diskutuar të gjitha çështjet që përballet bota.
“Samiti është një platformë e mirë për të diskutuar të gjitha çështjet me të cilat përballet rajoni, shteti juaj dhe e gjithë bota dhe Evropa. Ne duhet të ndërtojmë shërbime të ndryshme duke besuar rinisë” tha Schnorr.
Ministrja e Ekonomisë, Artana Rizvanolli, tregoj disa prej arritjeve që ka bërë ministria që udhëheq, duke përfshirë këtu edhe mbulimi e fshatit të fundit në Kosovë me internet 5G, raporton EO.
“Disa prej arritjeve tona gjatë muajve të fundit numërojmë mbulimi edhe të fshatit të fundit në Kosovë me 5G, inaugurimi i cili së shpejti do të bëhet i rrjetit kombëtar për edukim dhe hulumtim, i cili do të iu mundësoj studentëve dhe nxënësve të shkollave të Kosovës të jenë në gjendje t’i shfrytëzojnë laboratorët virtuale e shumë mundësi të tjera”.
“Para disa ditësh gjithashtu inauguruam sistemin për monitorimin e frekuencave të gjitha këto dhe projektet e tjera hapin rrugën për teknologji të reja siç janë 5G, inteligjenca artificiale, printimi 3D e të tjera”, tha Rzivanolli.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën për media:
Të nderuar gazetarë,
Ne, si Republikë e Kosovës, si qeveri e vendit tonë, jemi nikoqir të edicionit të pestë të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor. Ky samit është ngjarja më e madhe e organizuar në rajon dhe e cila derivon nga procesi i Berlinit.
Me këtë rast, para jush jam së bashku me Ministren tonë të Ekonomisë, znj.Artane Rizvanolli, të cilën e falënderoj për përgatitjet, ideimin dhe organizimin e këtij samiti, por jam gjithashtu bashkë edhe me z.Schnorr, i cili është Sekretari Shtetëror gjerman për Digjitalizim dhe Transport.
Samiti i digjitalizimit i bën bashkë politikbërësit nga regjioni, nga Bashkimi Evropian, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, ekspertët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, që t’i shkëmbejnë idetë, përvojat dhe planet, të cilat kontribuojnë në tranzicionin e ardhshëm digjital në regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm.
Edicioni i pestë, pra po mbahet këtu në Prishtinë dhe me këtë rast ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për ta forcuar edhe bashkëpunimin rajonal, por edhe digjitalizimin, si një proces tejet i rëndësishëm për të gjitha fushat e jetës dhe të veprimtarisë.
Digjitalizimi e ngrit cilësinë e shërbimeve, pastaj llogaridhënien e zyrtarëve dhe transparencën e proceseve në administratën publike, por padyshim edhe në industri, në ndërmarrësi, në edukim, në shëndetësi, e të tjera.
Në këtë samit po marrin pjesë më shumë se 200 biznese, do të ketë më shumë se sa 60 folës dhe mbi 30 organizata joqeveritare, në gjithsej 9 panele e 16 ngjarje anësore, të gjitha këto aktivitete të të gjitha grupmoshave nga Kosova, rajoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Diskutimet të cilët do të jenë në kuadër të agjendës së përbashkët digjitale, do të përqendrohen tek infrastruktura digjitale, siç janë fibrat optike dhe teknologjia 5G, pastaj aftësitë, kapacitetet digjitale, për një forcë, fuqi punëtore, e cila është e edukuar për sfidat e ekonomisë në të ardhmen, që gjithnjë e më shumë do të jetë e digjitalizuar.
Pastaj, siguria kibernetike, e cila duhet të sjellë qëndrueshmëri kibernetike të institucioneve, të bizneseve, të shtetit në përgjithësi, karshi sulmeve të ndryshme të mundshme. Dhe e fundit është, krijimi i një ambienti të favorshëm dhe konkurrues për bizneset inovative.
Gjatë këtij samiti digjital, do të ketë katër gara midis grupeve të të rinjve të të gjitha shteteve, të cilët përfshijnë robotikën, pastaj kodimin, lojërat kompjuterike, e kështu me radhë.
Ne bashkë me Ministren e Ekonomisë dhe Sekretarin nga Gjermania vizituam grupet e fëmijëve, të cilët prej fillimit janë duke bërë programimin në garën e tyre në fushën e robotikës. Janë gjithsej 44 fëmijë në 21 ekipe, nga të gjitha shtetet dhe unë pata rastin të bashkëbisedoj për së afërmi me fëmijët nga Tetova, nga Kosova, pastaj me fëmijët nga Osjeku i Kroacisë, e kështu me radhë, si dhe studentët, që ishin në një garë, sa i përket dizajnimit të lojërave kompjuterike, me ç ‘rast rezultatet do t’i kemi pasdite.
Komuniteti i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit do të ketë shansin që të marrë pjesë në takimet B2B të bizneseve, për të krijuar sa më shumë rrjetëzim me njëri-tjetrin dhe në këtë mënyrë të gjithë të përfitojnë nga lidhjet e reja, të cilat i krijojnë.
Ju faleminderit të gjithëve dhe uroj që ky samit digjital të jetë edhe kuptimplotë edhe produktiv sa i përket përvojave tona, por gjithashtu edhe arritjeve në të ardhmen.
E tash, po ia kaloj fjalën Sekretarit gjerman, z.Schnorr, e më pastaj edhe Ministres së Ekonomisë, znj.Rizvanolli.