Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët është prioritet kyç në agjendën e tij qeverisëse, raporton Ekonomia Online.
Kurti, i cili mori pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024, ka theksuar se po planifikohet ndërtimi i Qendrave të Integruara të Shërbimit, për të gjithë qytetarët që s’kanë mundësi t’i kryejnë këto shërbime vetë. Kjo sepse, siç ka thënë ai, “gjithëpërfshirja është çelësi”.
Tutje, Kurti ka thënë se platforma E-Kosova ka qenë një sukses i madh, ndërsa ka theksuar se siguria kibernetike është shumë e rëndësishme.
“Ky event është bërë i rëndësishëm në rrugëtimin digjital të Kosovës. Jemi të lumtur që nga ky edicion KosICT do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë. Si ballafaqohemi me sfida dhe mundësitë, do të ketë rëndësi të madhe. Transformimi digjital është një prioritet kyç në agjendën tonë qeveritare”.
Ai ka thënë se një ndër sukseset e Qeverisë ka qenë platforma E-Kosova ku mund të kryhen më shumë se 195 shërbime. Kurti tutje ka thënë se janë të fokusuar që politikat digjitale të zhvillohen në shërbim të qytetarëve, ndërsa për ata qe nuk munden t’i përdorin këto shërbime, do të ndërtohen Qendrat e Integruara të Shërbimit.
“Kjo është e ardhmja që duam ta ndërtojmë. Ku njerëzit s’kanë nevojë të rrinë në rende të gjata por i marrin ato që i duhen vetëm me një klik. Gjithëpërfshirja është çelësi. Për ata që nuk munden t’i përdorin shërbimet digjitale, do të mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat e Integruara të Shërbimit. Qendrat e para do të jenë në Prishtinë dhe jemi të entuziazmuar se si këto qendra do të punojnë. Siguria është e rëndësishme kur flasim për digjitalizim. Prandaj kemi themeluar qendrën e sigurisë kibernetike dhe së shpejti do të hapen edhe vendet e punës për agjencinë e sigurisë kibernetike”.
Për përdorimin e shërbimeve elektronike nga të gjithë qytetarët, kryeministri njoftoi krijimin e Qendrave të Integruara të Shërbimit i cili mundëson që edhe ata që nuk janë në gjendje të përdorin vetë shërbimet digjitale, të mund të përfitojnë prej tyre me ndihmën e punonjësve të qeverisë.
Nismë tjetër madhore u konsiderua edhe zbatimi i sistemit kombëtar eID, i cili pritet të lansohet së shpejti, përmes së cilit do të ofrohen shërbime të sigurta të identifikimit dhe vërtetimit elektronik. Për siguri në mbrojtjen e shërbimeve dhe sistemeve tona digjitale, kryeministri Kurti shtoi se në fillim të këtij viti kemi inauguruar Qendrën Shtetërore të Trajnimit për Sigurinë Kibernetike në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Ai veçoi edhe Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren dhe TechPark Prishtina, si dy shtyllat kryesore të peizazhit të inovacionit të Kosovës që Qeveria i ka mbështetur drejtpërdrejt. Këto hapësira janë krijuar për të nxitur bashkëpunimin dhe kreativitetin, duke u ofruar startup-ve dhe sipërmarrësve infrastrukturën dhe mjetet që u nevojiten për t’i kthyer idetë e tyre në realitet.
Në fund, kryeministri u shpreh krenar që të gjitha këto përpjekje transformuese të Qeverisë janë në përputhje me pritshmëritë dhe aspiratat e shoqërisë sonë, andaj bëri thirrje për shfrytëzimin e potencialit pozitiv të teknologjisë për përmirësimin e jetës, për të krijuar mundësi dhe për të ndërtuar një botë më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Në kuadër të vizitës, kryeministri pati mundësinë që të shoh nga afër punimet që lidhen me fushën e teknologjisë të krijuara nga fëmijët në kuadër të programit KOSICT.
Kryetari i bordit të Shoqatës së Kosovës për Teknologji Informative (STIKK), , Ermal Sadiku, tha se teknologjia e informacionit dhe komunikimit ka fuqinë për të ndryshuar jetën e njerëzve në vendet e vogla si Kosova, raporton EO.
“Është një ndër industritë më transformuese në botë. Në vendet e vogla si Kosova mund të shohim si teknologjia e zhvillon vendin dhe ndryshon jetën e njerëzve. Rëndësia e inxhinierëve është se ata trajnojnë inxhinierë të tjerë të rinj dhe kompani, për të ndryshuar jetën e njerëzve. Kjo është arsyeja pse duam që Qeveria të fokusohet në këtë sektor, sepse është mënyra më e lehtë për të bërë ndryshimin”.