Kurti: Do t’i ndihmojmë ndërmarrësit, që të rritet punësimi, prodhimi dhe zhvillimi

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Kurti, para të pranishmëve të shumtë tha se na pret shumë punë, që duhet ta bëjmë bashkë me juve sepse zhvillimi ekonomik është prioritet.


“Gjithsesi, nuk është rastësi që po flasim kaq shumë kohëve të fundit për barrierat tregtare dhe për ekonominë sepse këto do të jenë temat e qeverisës sonë: ekonomia dhe drejtësia, puna dhe mirëqenia, temat tjera do të marrin vëmendjen e duhur, por asnjëherë të gjithë vëmendjen”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se duhet ta ndihmojmë biznesin vendës, t’i ndihmojmë ndërmarrësit, në mënyrën që të rritet punësimi, të rriten kompanitë, të rritet prodhimi, të rritet zhvillimi, e të rritet edhe paga mesatare në sektorin privat.

“Është absurde që paga mesatare në sektorin publik është mbi 500 euro me një rritje mbi 100 euro në pesë vjetët e fundit, ndërkohë që kjo rritje nuk është as 15 euro në sektorin privat ku ju e dini që pagat mesatare ngelen rreth 350 euro”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se ata të cilët duan të punojnë më shumë, duan të fitojnë më shumë, duhet ta kenë mundësinë te sektori privat dhe garancinë e shtetit  për sundim të ligjit e për konkurrencë fer.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti

I nderuari kryetar i Bordit të Afaristëve të Kosovës, z. Skënder Krasniqi

Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë dhe z. Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë,

Të nderuar përfaqësues të odave, dhomave e shoqatave të ndërmarrësve në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut;

Të nderuar afaristë,

Të nderuar miq, e dashamirës të zhvillimit ekonomik.

Nga lista e folësve këtu e kuptova se e kemi një pjesë të mirë të Qeverisë, sot në këtë event. Të paktën kemi drejtuar një pjesë të mirë të veshëve të ministrive tona pikërisht tek ju dhe kjo është shenjë e mirë sepse ne duhet të dëgjojmë më shumë.

Shkarkimi i Bordeve dhe i Koordinatorëve Nacionalë, përgjysmimi i pagave të kabinetit, Grupi i Ekspertëve që përgatisin vetingun në drejtësi, ndihma për pasojat e tërmetit në Shqipëri dhe pasojat e erës së fuqishme në Dukagjin, shfuqizimi i 14 konsujve nëpër botë dhe riatdhesimi i tyre, anulimi i ndërtimit të lagjes pranë Badovcit, anulimi i tenderit prej 110 milionëve Bechtelit i shpallur pa miratim buxhetor, kanë dominuar muajin që lamë pas, e natyrisht edhe fjalët reciprocitet e tarifë.

Gjasat janë që deri tash të gjithë qytetarët e kanë kuptuar se çka është reciprociteti, me përjashtim të disave në Parlament.

Shakatë anash, sot bëhen një muaj që kur u zgjodha kryeministër dhe besoj që edhe kritikët më të mëdhenj do të pajtoheshin që të gjithë ne kemi qenë të zënë me punë si qeveri, pa asnjë festë që arritëm të zgjidhemi. Kanë festuar qytetarët pse u zgjodh kjo qeveri, por jo edhe qeveritarët e rinj.

Neve na pret puna, shumë punë, që duhet ta bëjmë bashkë me juve sepse zhvillimi ekonomik është prioritet.
Gjithsesi, nuk është rastësi që po flasim kaq shumë kohëve të fundit për barrierat tregtare dhe për ekonominë sepse këto do të jenë temat e qeverisjes sonë: ekonomia dhe drejtësia, puna dhe mirëqenia, temat tjera do të marrin vëmendjen e duhur, por asnjëherë të gjithë vëmendjen.

Nëse deri tash nuk ka qenë e qartë, besoj se tash është kuptuar që çdo parregullsi e çdo padrejtësi do të adresohet në rrugë ligjore, do të debatohet gjerë e gjatë, por do të zgjidhen ato sepse kështu kanë kërkuar qytetarët.

E tillë është edhe tema që po flasim sot.

Kosova është vend sovran dhe i pavarur, por sovraniteti dhe pavarësia e saj kanë kuptim vetëm kur i ushtrojmë ato dhe vetëm kur kemi një popullsi që i gëzon ato, e gëzimi i pavarësisë dhe sovranitetit kalon nëpër zhvillimin ekonomik që sjellë punësim e mirëqenie.

Natyrisht, me Shqipërinë do të donim që të kemi sa më shumë ndërveprim e bashkërendim, në mënyrë që dallimet tona në ekonomi e në politikë të jenë edhe më të vogla sesa dallimet ndërmjet dialekteve të gjuhës tonë nëpër krahinat e kombit tonë.

Fatkeqësisht, realiteti është ndryshe.

Barrierat me Shqipërinë tejkalojnë dallimet tona në dialekt dhe janë të tilla që i dëmtojnë prodhuesit dhe eksportuesit. Për të kaluar në tokën shqiptare, transportuesit obligohen që për çdo kamion që sjellin mallra në Kosovë nga vendet e BE-së përgjatë tranzitit në Shqipëri të paguajnë taksën e skanimit prej 22 euro e këtë taksë e paguajnë edhe në ato raste kur nuk funksionon skaneri, gjë që tregon se nuk janë në pyetje çështjet funksionale të sigurisë, por të gjobitjes për llogari të dikujt.

Procedura të dyfishta të rregullimit të dokumentacionit, mosnjohja e certifikatave të cilësisë në fushën e ushqimit dhe akciza më të larta për prodhuesit e verës janë disa nga barrierat tregtare me Shqipërinë të cilat do t’i adresojmë për t’i zgjidhur ne dy qeveritë e kombit tonë.

Por, edhe në anën tjetër ka anomali të shumta. Po e përmendi njërën e cila është me absurde. Qytetarët e Shqipërisë kur vijnë në Kosovë duhet të kenë leje pune që të marrin leje qëndrimi dhe duhet të kenë leje qëndrimi që të marrin leje pune.

 Me Maqedoninë e Veriut po ashtu kemi pengesa që duhen hequr. Procedura të zgjatura të zhdoganimit, kërkesa për certifikata shtesë dhe teste shtesë e të panevojshme vendosen për të vështirësuar e dekurajuar punën e bizneseve tona dhe eksportet tona.

Kosova ka një bilanc negativ tregtar me të gjitha vendet e CEFTA-s. Eksporti ynë mbulon importin me vetëm 11% , e kur këtu shtohen edhe pengesat tregtare atëherë kërkohet ndërhyrja e shtetit për të garantuar që bizneset tona nuk i nënshtrohen standardeve të dyfishta dhe garës jolojale. Në fund të fundit kjo është një nga arsyet se përse ekziston shteti, dhe se përse ne kemi folur që herët për shtetndërtim.
Garë e barabartë, konkurrencë lojale. Prandaj reciprociteti do të ndodhë, jo sepse ne kemi vendosur të sillemi ndryshe, por sepse ne kemi vendosur të sillemi si shtet, si shtet i pavarur, ashtu siç jemi shpallur, ashtu siç jemi.

Marrëdhëniet tona tregtare, ekonomike dhe politike janë reciproke, sepse ne jemi vende të pavarura. Reciprociteti është vlerë barazie para se të jetë masë kundërvënieje.

Njerëzit tanë, prodhuesit tanë, biznesmenët tanë janë po aq të vlefshëm sa dhe ata të shteteve me të cilët zhvillojmë tashmë ose do të zhvillojmë marrëdhënie më vonë.

Ne duhet ta ndihmojmë biznesin vendës, t’iu ndihmojmë juve ndërmarrës, në mënyrën që të rritet punësimi, të rriten kompanitë, të rritet prodhimi, të rritet zhvillimi, e të rritet edhe paga mesatare në sektorin privat.

Është absurde që paga mesatare në sektorin publik është mbi 500 euro me një rrite prej mbi 100 euro në pesë vjetët e fundit, ndërkohë që kjo rritje nuk është as 15 euro në sektorin privat ku ju e dini që pagat mesatare ngelen diku rreth 350 euro.

Ata të cilët duan të punojnë më shumë, duan të fitojnë më shumë, duhet ta kenë mundësinë te sektori privat dhe garancinë e shtetit për sundim të ligjit e për konkurrencë fer. Ndërkaq, në sektorin publik joshja nuk duhet të jetë paga e lartë, por duhet të jetë siguria e kushteve dhe e kontratave afatgjate. Kështu është zhvilluar perëndimi, në veçanti Bashkimi Evropian, ne rrugë tjetër gjithashtu nuk kemi.

Ju falem nderit dhe suksese në këto panele të respektuara që keni sot.

Na i dërgoni rekomandimet sepse do t’i analizojmë, do t’i shqyrtojmë, e edhe do t’i përvetësojmë.

Punë të mbarë.

Të ngjashme