Kurti: Drafti “evropian” i Asociacionit parashihej të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse do të nënshkruhej dje

Prishtinë | 27 Tet 2023 | 16:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për medie në Prishtinë, ka folur rreth takimeve të ditës së djeshme në Bruksel me liderët e tri shteteve më të fuqishme të BE-së (Gjermani, Francë dhe Itali) dhe ndërmjetësit evropianë.

Kurti la të kuptohet se ka pranuar draftin “evropian” të Asociacionit, por presidenti Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë.

Lideri i Vetëvendosjes, i cili për 10 vjet ka kundërshtuar Zajednicën, ka thënë se draft-propozimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe parashihet që të rishikohet edhe njëherë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës (ngjashëm sikur parashihej edhe me marrëveshjen e vitit 2013).

Kurti tha se emisarët amerikano-evropianë i kanë thënë se drafti i Asociacionit është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës së Kosovës. Por, nuk ka dhënë detaje për planin e ri evropian duke u arsyetuar se kështu është kërkuar nga emisarët.

“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke dhe për këtë e kemi pranuar Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Zbatimit në Ohër me 12 pikat e tij. Por në të dy rastet, edhe më 27 shkurt në Bruksel edhe në Ohër, presidenti i Serbisë ka refuzuar të nënshkruaj, ndonëse ka thënë se e pranon marrëveshjen dhe është dakord me tekstin e saj, përmbajtjen e saj”, tha Kurti.

“Unë nënshkrimin e ofrova edhe në Samitin e Berlinit, ndërsa kryeministrja serbe refuzoi njëjtë si presidenti”.

“Dje në Bruksel ofruam që para tyre si dëshmitar dhe garantues, të nënshkruajmë marrëveshjen Bazë, megjithë Aneksin Implementues të Ohrit dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes lidhur me nenin 10 për idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim”, tha Kurti.

“Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim dhe zbatim, mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim dhe vetëm nënshkrimi është garanci për zbatim. Këtë e thamë edhe dje ku Samiti në Bruksel ishte ngjarja dhe vendi ku duhet të ndodh kjo, Serbia refuzoi nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim”, theksoi Kurti para gazetarëve.

Kryeministri i Kosovës ka refuzuar të japë detaje për planin e ri evropian duke thënë se kjo është kërkuar nga emisarët.

“E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, që deri sa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema do ta japë gjithnjë Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Kurti.

Kurti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që Serbia të mbahet përgjegjëse për, siç ka thënë, sulmin ndaj Kosovës dhe për refuzim të nënshkrimit të marrëveshjeve.

“Pas 10 vjetëve të insistimit në Asociacion, Serbia dje ka refuzuar që të nënshkruante një draft për vetëmenaxhim, që është sjellë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në një kohë krizash të shumta, takime të nivelit të lartë tregojnë për rëndësinë që i kushton BE-ja normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Kurtit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është penduar për arritjen e pajtueshmërisë për Marrëveshjen që parasheh normalizim marrëdhëniesh, në shkurt të këtij viti.

Dy palët më pas janë pajtuar në mars për aneksin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, ndonëse asnjëri dokument nuk është nënshkruar.

“Ju e dini që në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që bënin me pararendësit e mi, ndërkaq tash nuk duan, pikërisht për shkak të përmbajtjes, dhe kuptimit që kanë tekstet e këtyre marrëveshjeve”.

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqës të Bashkimit Evropian – në margjina të një samiti të BE-së më 26 tetor – mirëpo takimet kanë përfunduar pa ndonjë rezultat.

Të ngjashme