I nominuari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë para qytetarëve të Drenasit, se Drenica kësaj radhe nuk do t’i votojë më për “qeverinë e frikës dhe pushtetarë të dehur”, raporton Ekonomia Online.
“Në garën e PDK dhe VV në Drenas e Drenicë do të fitojë VV-ja. Sepse populli është lodhur nga qeveria e frikës e pushtetarë të dehur. Sepse ne jemi e ardhmja dhe ata janë e shkuara’”, ka thënë ai.
Ndërsa ka thënë se vetëm qeverisja e tyre u garanton qytetarëve të Kosovës jetë të barabartë.
“Me qeverinë e VV ne do të kemi shpërndarje e barazi të pasurisë. Na duhen njerëz të ndryshëm për ndryshime e mbi të gjitha na duhen koncepte të reja për ndryshime e VV i ka 40 pika kyçe se si mund të ndodh kjo, e cila do të ndodhë vetëm pas 11 qershorit”.
Kurti ka thënë se me qeverinë e VV do të përfitojë shumica e do të humbin disa.
“Drenasi ka përjetuar shumë humbje e mund te them se Drenasi ka përfituar vetëm papunësi nëpërkëmbje e degradim. Jeta e dinjitetshme nuk është ajo jetë e cila degradohet. Me qeverinë e VV do të përfitojë shumica e do të humbin disa. Politikat sociale nuk mund ta presin zhvillimin ekonomik e këto të dyja do të zhvillohen paralel’ , ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se kundërshtarët e tij politik premtojnë rrejshëm.
“Kur njeriu rren shpesh njeriu çuditet kur e thotë të vërtetën e këta nuk i japin pesë parë për ato pare që i premtojnë, e ky është plani i tyre për t’i vjedhur popullin. Ata premtojnë tepër sepse për dallim prej meje e dinë që nuk do të bëhen kryeministër”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë po ashtu se pasuria e qytetarëve është bërë e pushtetarëve në këto 18 vite të pasluftës. Por, ai u zotua se me qeverisjen e VV-së, pasuria e paligjshme e pushtetarëve do të konfiskohet dhe do ti kthehet qytetarëve përmes ligjit antimafia.
“Njerëzit që na kanë ardhur javët e fundit prej PDK-së na kanë thënë që po vijmë me kushtin që nuk do të bëheni me PDK-në pas zgjedhjeve. Njerëzit që na kanë ardhur javët e fundit nga LDK-ja na kanë thënë që po vijmë me kushtin që nuk do të bëheni me LDK-në pas zgjedhjeve. Me 13 qershor merret vesh se çka mbetur nga këto koalicione të lodhura e që ne do t’i lodhim deri në fund të zgjedhjeve”, tha ndër të tjera Kurti në Drenas.
Kurti ka premtuar pastrimin e Iber-Lepencit, rregullimin e rrjetit të ujit dhe pastrimin e ujërave të zeza që janë në këtë qytet.
Shemsi Elezi: Drenasi nuk përkrah klanin “Pronto”
Kryetari i Qendrës së VV-së në Drenasi dhe kandidati për deputet, Shemsi Elezi, në tubimin përmbyllës zgjedhor në këtë komunë tha se VV në Drenas është e strukturuar mirë dhe të rinj dhe të reja çdo ditë po i bashkohen asaj.
“Klani ‘Pronto’ nuk e ka origjinën në Drenas, por në individë të caktuar”, ka thënë Shemsi Elezi, teksa shtoi se Drenasi me qytetarët e tij e ka drejtuar mendjen, syrin dhe trupin drejt VV-së.
“Drenasi nuk e përkrah klanin ‘Pronto’ dhe as koalicionin e panikut”, ka thënë po ashtu kandidati për deputet, Shemzi Elezi,
Xhavit Drenori: Kosova ecë përpara vetëm me Albinin kryeministër
Nga tubimi i VV-së në Drenas, kandidati për deputet, Xhavit Drenori, tha se habitet se si në Drenicën e shkumbuar nga Serbia kanë fytyrë të vijnë të kërkojnë votë edhe pas 18 vitesh plaçkitjeje.
“Përgjigja më e mirë prej nesh është se nëse më ke mashtruar njëherë ti je fajtori, nëse ta jap shansin të më mashtrosh për së dyti fajin e kam ynë”, ak thqnë Drenori në Drenas.
Tutje, Drenori tha se jemi dëshmitarë se si i kanë zhveshur nga morali politikat këta politikanë.
“Ndryshimin e kam filluar nga vetvetja. Ju garantoj vetëm një gjë: punë, punë, punë”, premtoi Xhavit Drenori para bashkëqytetarëve të tij, teksa tha se Kosovës i duhet patjetër Albini kryeministër.
Rexhep Selimi nga Drenasi: Drenica nuk do të pranojë të udhëhiqet nga frikacakët
Nga Drenasi, kandidati për deputet, Rexhep Selimi, tha se qytetarët e kanë vendosur tashmë, teksa ka ftuar Albin Kurtin të bëhe gati, të përvjelë duart sepse po e presin të gjithë në ballë të qeverisë.
“Drenica nuk do të pranojë të udhëhiqet nga frikacakët se Drenica është trimneshë, Drenica nuk do të pranojnë të udhëhiqet nga të pandershmit, se Drenica është e ndershme”, ka thënë Rexhep Selimi në tubimin elektoral të Drenasit.
Tutje, Selimi ka shtuar se Drenica mund të mashtrohet një herë, por jo gjithmonë.
“Drenica nuk është bankomati i tyre sa herë atyre tu teret fyti. Qytetarët e Drenicës kanë nevojë për ju aktivistë që ti ndihmoni që t’ia japin një gjobë atyre që e gjobitën Drenicën për 18 vite. Dhe numri 35 është gjoba e tyre”, ka porosituar Rexhep Selimi qytetarët e Drenasit, duke shtuar se pushteti i djeshëm është përgjegjës para U K-së sepse luftëtarët më të mëdhenj ia dërgoi në burg dhe e solli Gjykatën Speciale.
“O me të kaluarën e pandershme, o me Albin Kurtin e përparuar. Pra le ta fillojmë këtu, t’i biem gjarprit këtu në kokë, që gjarpri të mos ketë më vend në folenë e shqiponjave”, tha në fund Selimi.