Kurti: Dy ura të reja mbi Ibër do të lidhin Mitrovicën, jo ta ndajnë

Prishtinë | 01 Kor 2025 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për të rritur komunikimin, qarkullimin dhe bashkëpunimin mes pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

Duke folur në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të këtyre dy urave, Kurti theksoi se ato do të jenë ura të lidhjes dhe shkëmbimit mes komuniteteve, dhe jo ndarjeje.

“Po tregojmë përkushtimin tonë që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim e shkëmbime. Këto dy ura, që janë në të dy anët e urës kryesore mbi Ibër, njëra prej tyre do të jetë edhe për automjete edhe për këmbësorë, ndërkaq tjetra do të jetë vetëm për këmbësorë,” deklaroi Kurti.

Ai sqaroi se ura për automjete dhe këmbësorë do të ketë gjatësi 51 metra dhe gjerësi 10 metra, ndërsa ura tjetër, e cila është dedikuar vetëm për këmbësorë, do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë.

Kurti përmendi edhe rëndësinë rajonale të ndërlidhjes përmes urave mbi lumin Ibër.

“Mbi lumin Ibër gjithsej janë 77 ura në tri shtete: Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi – pa i numëruar hekurudhat. Prej tyre, 35 janë në Kosovë. Së shpejti, në vjeshtë, do ta inaugurojmë si përmbyllje e punimeve. Jemi shumë të gëzuar sepse përfitojnë të gjithë qytetarët, pa dallim”, tha ai.

Ministri  në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se projekti është rezultat i kërkesave nga të dy komunat dhe se synon të forcojë lidhjen ndërmjet pjesës jugore dhe veriore të qytetit.

“Pas kërkesave që i jemi pasur nga dy komunat dhe kryetarit të bordit të Mitrovicës, Elbert Krasniqi, kemi nënshkruar memorandumet me të dyja komunat. Në bazë të atyre dy memorandumeve e kemi nënshkruar sot edhe kontratën dhe po fillojmë punimet në këto dy ura. Të dy urat do t’i lidhin dy komunat, pjesën jugore dhe veriore. Është afër 3 milionë euro vlera e të dyjave,” deklaroi Aliu.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, theksoi rëndësinë e urave si një mjet për të rritur qasjen dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja anëve të Mitrovicës.

“Mundësi e mirë e lidhjes së qytetarëve nga veriu në jug dhe jugu në veri. Ne si bord, përpos ndërtimit të urave, prioritet kemi vendosur edhe aktivitete tjera dhe projekte të tjera infrastrukturore. Njëra ndër to është edhe transporti urban i përbashkët. Ura është ideale që të kalojë edhe transporti publik. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Mitrovicës së jugut dhe veriut dhe Kosovës. Një arsye shtesë që të gjithë jemi së bashku në këtë proces të rëndësishëm,” tha Krasniqi.

Të ngjashme