Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve, pak më parë ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel, ai ka qenë i vetmi që ka prezantuar “dokument të shkruar me propozim konkret”.
Një gjë të tillë, Kurti thotë se nuk e ka bërë as pala serbe e as Bashkimi Evropian, derisa Borrelli tha se Brukseli ka propozuar si zgjidhje implementimin paralel të obligimeve që dalin nga Dialogu dhe Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar Asociacionin si prioritet, shkruan Express.
Kurti tha se pala serbe e kishte dërguar një kushtëzim te Bashkimi Evropian, derisa shtoi se mes kushtëzimit dhe propozimit “nuk mund të ketë mesatare aritmetike”.
“Së pari nuk ka propozim të Beogradit, ka dokument kushtëzues që kur ta lexoni do ta vërtetoni. Nuk mund të ketë kompromis midis propozimit dhe kushtëzimit. Dhe e fundit, që është e para, sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë veç Republika e Kosovës përmes meje, as pala serbë as Bashkimi Evropian. BE ka lehtësuar dhe ka ndërmjetësuar. BE është aty për t’u siguruar që propozimet e palëve janë përbrenda frymës dhe formës së BE’së, Evropës. Ata nuk bëjnë propozime, ata kujdesen që propozimet e palëve janë të tilla që nuk tejkalojnë kornizën evropiane. E tash, pala serbe nuk ka sjellë propozim, por e kishte dërguar një kushtëzim te BE dhe mes kushtëzimit dhe propozimit nuk mund të ketë mesatare aritmetike. Por dokument të shkruar nga ana e tyre nuk ka pasur”, tha kryeministri Kurti.