Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kësaj radhe ka zhvilluar një intervistë për BBC, ku edhe ka folur për lidhjet e Serbisë me Rusinë, në aspektin politik, ekonomik dhe atë ushtarak.
Kurti në këtë intervistë mohoi akuzat e zyrtarëve të lartë rus se Kosova ka dërguar luftëtarë për t’iu bashkuar trupave ukrainase sikurse edhe pretendimet e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë njësoj me ato të intervenimit të ShBA-së dhe NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
“Në mesin e viteve ’90 ne patëm gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund të viteve ’90, 19 vende të NATO-s u bashkuan për të ndaluar gjenocidin në Kosovë. Ishte gjenocidi i dytë në Evropën kontinentale që nga Lufta e Dytë Botërore. 19 vende arritën konsensus për të bombarduar Jugosllavinë dhe Serbinë. Duhet të ketë qenë shumë keq sepse 19 shtete i thanë po bombardimit të një vendi dhe falë ndërhyrjes së NATO-s gjenocidi serb në Kosovë u ndal”.
Duke folur për situatën në Ukrainë dhe kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për takim me homologun e tij rus, Kurti ka thënë se Putini nuk është i interesuar për bisedime me Zelenskyyn.
“Mendoj se Presidenti Zelenskyy po tregon gatishmërinë e tij për bisedime dhe marrëveshje dhe për zgjidhje paqësore. Por kam frikë se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet me Presidentin Zelenskyy, ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden. Ju e dini se Presidenti Putin mendon se është Stalini i shekullit të 21-të dhe sheh Ruzveltin e ri te Presidenti Biden. Pra, përsëri, ata duan të copëtojnë Evropën, ata janë një perandori që duan të shtrihen përsëri në Evropën Lindore. Presidenti Putin është i hidhëruar dhe nostalgjik dhe kjo është arsyeja pse e gjithë Evropa është në rrezik”, ka thënë Kurti.
Kurti foli edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, për çka tha se e duam ndihmën e Evropës Perëndimore, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe për të arritur anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt.