Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme ia ka drejtuar pyetje kryeministrit Albin Kurti, në të cilat u përgjigj kreu i Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Në debatin për tarifën ndaj Serbisë, Haradinaj ka thënë se gjatë qeverisjes së AAK-së, Kosova ishte si kështjellë në raport me Serbinë.
“Ne kemi pasur kështjellë në raport me Serbinë, por kemi qenë shumë të hapur në raport me Shqipërinë, Maqedoninë, me Malin e Zi dhe me të gjithë rajonin”, u shpreh Haradinaj.
Për këtë i është përgjigjur kryeministri Kurti, duke i thënë Haradinajt se shtetin duhet ta shohë më shumë se kështjellë të familjes e të fisit.
“Kështjella është kështjellë e familjes, e fisit, shteti është më shumë se kaq. Ne duhet të kalojmë në ofensivë, nuk mund të fitosh me defensivë. Pra, është e domosdoshme që shteti t’i përdorë levat e veta”, tha Kurti.
Ai tutje tha se tarifa e vendosur nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj ka pasur një rol pozitiv në ndalimin e diskutimeve për ndryshim të kufijve me Serbinë.
“Një gjë e paranoj: Tarifa 100 për qind ka ndikuar pozitivisht në ndaljen e pazarit të ndarjes së Kosovës. Por në kuotimin e sovranitetit politik e ekonimk të vendit, nuk e ka as ndikimin minimal”, ka thënë Kurti.