Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në nderim të 35-vjetorit të rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Kurti e Konjufca thanë se heronjtë do të kujtohen përherë.
Kryeministri Albin Kurti tha se një ditë para se të bien heroikisht, Zhitia e Fazliu kishin marrë pjesë në demonstratat e një nëntorit në vitin 1989.
“Saktësisht para 35 vjetëve, në lagjen ‘Bregu i Diellit’ tek hyrja e tretë e bllokut të tretë ku luftuan, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, deri sa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu ynë. Afrimi edhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstratave dhe shumë të fuqishme, dhe shume të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht kanë marrë pjesë në demonstratat e një nëntorit në vitin 1989 me ç’rast masës së demonstruesve i është drejtuar Afrim Zhitia. Në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë luftëtarët më të pa epur dhe heronjtë e popullit tonë që janë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe shumë e shumë të tjerë”, tha Kurti.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se porosia e tyre atë kohë ishte që “më mirë të vdiset me armë në dorë kundër serbisë, kundër okupatorit se sa të jetojmë në robëri”.
“Liria e Kosovës erdhi sepse kishte çlirimtarë si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, porosia e tyre ishte e qartë ‘më mirë të vdiset me armë në dorë kundër serbisë, kundër okupatorit se sa të jetojmë në robëri’. Ata jo vetëm se ishin luftëtar e çlirimtar por ishin edhe intelektual të mëdhenjë, veprat e tyre shkrimet e tyre mendimi I tyre politik na frymëzon sot e kësaj dite”, tha Konjufca.