Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për media, raporton Ekonomia Online. Kurti ka bërë të ditur se pensionet për të gjitha kategoritë është rritur për 20%, kurse nga muaji janar 2025 do të rriten 20 për qind pensionet për kategoritë e luftës.
“Tani që situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i rikthehet ritmit të rritjes. Kam një lajme të mirë për pensionistët, nga 1 tetori do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet, pensioni bazik i moshës; Pensioni kontributiv, i plotë dhe parcial; Pensionet për aftësi të kufizuara, për të verbër, për paraplegjikë dhe tetraplegjikë; Pensioni familjar, invalidor i punës, i parakohshëm i Trepçës”.
Kryeministri ka treguar se rritje pensionesh do të ketë edhe për kategoritë e luftës, por nga muaji janar sepse ai tha se duhet ndryshohet tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë.
“Nga muaji janar 2025 do të rriten për 20 për qind pensionet e përcaktuara me Ligjin për Kategoritë e Luftës, përkatësisht familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, kjo për arsyen se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë”.
Por, kryeministri ka treguar se te këto kategori për familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se një dëshmor ose të zhdukur do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur atë për 50 për qind të pensionit bazë për çdo dëshmorë apo të zhdukur tjetër që ka familja e jo siç shpjegoi të rritet me nga 20 për qind apo 10 për qind si ka qenë deri tani.
“E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civil ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50 për qind të pensionit bazë”.
Kryeministri u pyet nëse do të ndryshojnë pagat e mësuesve dhe policëve dhe mësimdhënësve, në konferencën për media ku njoftoi për rritjen e pensioneve. Kurti tha se “pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar”.
“Kemi pasur pa numër masa të ndryshme që i kanë ndihmuar kategoritë e ndryshme shoqërore, me ç’rast duhet theksuar se pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar. Sivjet po rriten pensionet, ndërkohë që në mandatin tjetër, ne do ta bëjmë reformën pensionale. Vjet janë rritur pagat në sektorin publik dhe kemi pasur një rritje të ndjeshme, të paprecedentë në Kosovën në këto vitet e fundit, andaj tash jemi të përqendruar te rritja e pensioneve”, tha ai.
Kurti tha se janë “mbi 300 mijë veta në Republikën e Kosovës që do të përfitojmë”, me ç’rast kostoja buxhetore e kësaj tha se është “plus 100 milionë euro”. Ai tha se kjo rritje po bëhet këtë muaj, pasi duan ta fusin këtë në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
“Këtë po e bëjmë tash në muajin tetor, meqenëse në të njëjtën kohë jemi duke e shkruar edhe buxhetin për vitin 2025 që do të votohet në këtë muaj në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra, rritja e këtyre pensioneve është duke u bërë në kuadër të planifikimeve tona afatmesme dhe afatgjata. Përpara, në rastin më të mirë ka pasur planifikime afatshkurtra”.
Pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për të tretë 256 euro dhe për të katërtën 318 euro.