Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga kandidatja për presidente Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial për viktimat e familjes Berisha, në 22-vjetorin e kësaj masakre, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se në maskuarën e familjes Berisha, Serbia ka dashur të vrasë edhe brezat e ardhshëm.
Ai tha se nuk duhet harruar ata që u flijuan për liri.
“Nuk kanë dashur t’i vrasin jo vetëm të rriturit por edhe brezat e ardhshëm. Të gjitha këto krime që janë kryer gjatë luftës jo vetëm që janë krime të luftës por edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit”.
“Masakër kjo që e ka përvjetorin e 22-të. Ne përulemi me nderim para të gjithë këtyre viktimave që u flijuan dhe ne që kemi shpëtuam nuk bënë kurrë t’i harrojmë”, tha Kurti.
Kryeministri tha se si Qeveri do të angazhohet që të fillojnë drejtësinë me institucionet tona.
“Nga 29 maji i vitit 2019 ekziston mundësia për gjykimin e kriminelëve andaj ajo çfarë do të bëjmë si Qeveri është se do t’i krijojmë të gjitha kushtet që më në fund të kemi edhe prokurorinë dhe gjyqësorin aktiv ashtu që drejtësia të fillojë prej neve shtoi Kurti. Në raportet e tona me Serbinë çështja e të pagjeturve është prioritet”, tha Kurti.
Ndërsa, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani ka thënë se në mënyrë kaq të egër siç ka qenë Serbia kundër familjes Berisha dhe masakrat që Serbia ka kryer akëkënd Kosovës nuk ka mënyrë që të përshkruhet me fjalë sepse është dhimbje e papërshkrueshme.
“Prandaj le të jetë ofshama e nënave për këto plagë që akoma pikojnë gjak udhërrëfyesi i përhershëm në kërkesën tonë për drejtësi sepse Kosova nuk mund të harrojë kurrë. Dhe ua kemi borxh familjeve që kanë humbur më të shtrenjtit e tyre që drejtësinë ta sjellim në vend. Janë 1133 fëmijë nga fëmijë që ishin akoma në barkun e nënës së tyre të familjes Berisha të cilët dhanë gjithçka dhe iu këput jeta në gjysmë. Prandaj të gjithë u kemi borxh të pashlyeshëm ndaj këtyre familjeve dhe nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi”