Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me ish-bashkëpartiakun e tij, kreun e Prishtinës Shpend Ahmeti, është marrë me deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.
Kurti i është përgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaçi i cili mbrëmë tha se Kurti së bashku me Haki Abazin e Xhelal Sveçlën kanë qenë në dhomën e përgjimeve.
Kurti ka thënë se këto deklarata janë gënjeshtra dhe shpifje.
“Ato janë gënjeshtra, janë shpifje. Problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë njëherë, duhet të gënjejnë përditë, madje disa herë në ditë”.
“Të gjitha ato shpifje për neve nuk besoj se duhej të ishin vetëm pyetjet e juaja për mua por edhe pyetjet e prokurorit të shtetit për presidentin”.
“Protagonistët e aferës pronto ju kanë ngelur mendja te përgjimet, atëherë kur e ushtronin italishten e filmave mafioz. Ata me të cilët nuk pajtohen janë duke u marrur me imagjinatën e tyre”.
“Po e theksoj edhe njëherë që të mos humbim kohë me ta, se dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte të miat. Ata kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e përgjimeve, ata kanë dëshirë që ta uzurpojnë ulësen e kryeministrit, ata i kanë këto dëshira dhe mi mveshin mua si fakte por nuk qëndrojnë”.
Ai ka folur edhe për akuzat e kryetarit në detyrë të AAK-së, se ai është i vetmi shqiptar që ka mbajtur konferencë nga burgu.
Kurti tha se nuk ka qenë i privilegjuar në burg, e që shtoi se të gjithë të burgosurit shqiptarë janë maltretuar.
“Për besë nuk e di çka të përgjigjem, ka pas shumë të burgosur e dinë që s’ka pasur të privilegjuar më së paku unë. Të gjithë të burgosurit e ne shqiptarët më së shumti jemi maltretuar, kur vinte puna te unë e të ndonjë tjetër ajo dyfishohej për shkak të rolit aktiv, këtë e kam dëgjuar te presidenti”.
“Ne jemi duke u përpjekur për shëndetin e ekonomisë, demokracisë. Tash ky regjimi i vjetër po shpurth në studio televizive”,
Kurti është deklaruar rreth tubimit të sotëm të VV-së në sheshet e kryeqytetit, që është paralajmëruar si provë për protestë me 3500 deri në 5000 vetë.
“Së pari, Vetëvendosje ka organizatën e aktivistëve dhe ata veprojnë, organizohen, punojnë. Ne si kryeministri nuk marrim pjesë në organizim të këtyre takimeve”.
“Ne i vëzhgojmë, jemi që të respektohen liritë e njerëzve por gjithmonë duke respektuar. Unë nuk kam kohë të jem aktivist në këtë kohë krizë shëndetësore e ekonomike”.
Mbrëmë, Qeveria ka bërë plotësimin dhe ndryshimin e vendimit sipas të cilit ishin ndaluar tubimet në të gjitha hapësirat publike dhe private, raporton EO.
Kurti tha se nuk kanë kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Kurti thotë se Qeveria që udhëheq ai do të mbrojë Kushtetutën edhe ligjin.
“Ne nuk kemi ndonjë kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ne konsiderojmë që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk janë bërë asnjëherë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi”.
“Ne do të jemi në zbatim dhe në mbrojte të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi”.