Komuna e Podujevës shumë shpejt do të bëhet me Qendër Multifunksionale, e cila është bashkëfinancim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton Ekonomia Online.
Vlera e projektit është rreth 1 milion euro, ku Komuna e Podujevës do të participojë me 100 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga MKRS-ja. Me këtë rast në vënien e gurthemelit, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se në kuadër të reformës për rini, bën pjesë edhe krijimi i infrastrukturave fizike.
“Unë jam këtu së bashku me kryetarin e komunës së Podujevës, profesor Shpejtim Bulliqin dhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Cekun, që të bëjmë vendosjen e gurthemelit të një Qendre për Rininë, një qendre multifunksionale për rininë këtu në Podujevë e cila do t’i ndihmojë të rinjtë që të kenë hapësira të përshtatshme për aktivitetet e tyre”.
“Ne në përgjithësi e kemi nisur një reformë për rininë në Kosovë e cila shprehet jo vetëm pra në ligj të ri dhe në strategji shtetërore të re për rininë por gjithashtu edhe me këto infrastrukturat fizike sikurse kjo këtu, që do ta ketë bazën 720 metra katrorë me dy kate, me ndriçim zenital pra nga kulmi dhe gjithashtu me katër salla multifunksionale, me një amfiteatër dhe me hapësira për administratë për mbledhje për depo e kështu me radhë”.
“Përkushtimi jonë për rininë duhet të shprehet vazhdimisht anë e mbanë Kosovës dhe tashmë janë disa qendra të këtilla nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, Pjetërshanin, e kështu me radhë por këtë po e bëjmë edhe sot këtu në qytetin e Podujevës që ka një rini të shkëlqyeshme dhe e cila meriton më shumë, i takon më shumë andaj edhe ne do të bëjmë çmos që t’i dalim borxh asaj në mënyrë që përfitimi edhe për vetë rininë por edhe për shtetin dhe të ardhmen të jenë sa më të mëdha”.
E kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo qendër ka një hapësirë prej 1450 metra katror dhe kap vlerën e 1 milion euro, ku Komuna merr pjesë me 100 mijë euro, raporton EO.
“Kjo qendër ka një hapësirë prej 1450 metra katror dhe e cila tash e tutje do t’u shërbejë rinisë sonë, për arsye se aktivitetet e tilla i kanë shfrytëzuar në një hapësirë tjetër dhe besoj se me ndërtimin e këtij objekti do t’u krijohen kushte më të mira”.
“I tërë projekti kap vlerën e afër 1 milion euro, bashkëfinancim me MKRS dhe Komunës së Podujevës, ku Komuna e Podujevës merr pjesë me 100 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër Ministria e Kulturës”, tha Bulliqi.