Kryeministri Albin Kurti ka postuar në Facebook një fotografi me emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë, të cilat janë gjetur gjatë bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit.
“Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon”, ka shkruar Kurti, i cili qe disa ditë nuk ndodhet fare në Kosovë.
“Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon”, ka shtuar Kurti.