Për rreth një dekadë e gjysmë, Albin Kurti i ka shitur mend jo vetëm krejt Kosovës, por edhe një pjese të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare, se si duhet të sillemi karshi Serbisë dhe si duhet rregulluar marrëdhëniet ndër-shtetërore në rajon.
Pavarësisht se gjatë gjithë kohës ka folur gjëra që s’kanë aspak lidhje me realitetin, tipari i pandryshueshëm i tij ka qenë moralizimi i vazhdueshëm dhe patriotizmi puritan.
Së voni, përkundër faktit se është rritur politikisht duke folur për bashkimin kombëtar, jo vetëm që e braktisi këtë ide në heshtje dhe tinëzisht, por edhe iu vërsul egërsisht Kryeministrit Edi Rama, me rastin e vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, në Tiranë, pas tërmetit që e goditi Shqipërinë.
Në komunikatën zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, ndër të tjera, theksi ra te fakti se Rama ia paska mundësuar një krimineli lufte të duket si bamirës. Madje, me një gjuhë të shfrenuar dhe aftësi për të gënjyer pa karar, që tashmë është karakteristikë dalluese e anëtarësisë së VV-së, ata shkuan aq larg sa Edi Ramën e quajtën “Shqiptar i mirë për Serbinë”.
Të gjithë ata që kanë përjetuar zhvillimet politike në fundin e viteve ‘80 dhe fillimin e viteve ’90, e kujtojnë se shprehja “Shqiptar i mirë për Serbinë” u është referuar kolaboracionistëve të regjimit. Me këtë frymë, e pa asnjë fije turpi, Vetëvendosje sulmoi jo vetëm Edi Ramën e Qeverinë e Shqipërisë, por edhe këdo që ka menduar ndryshe prej tyre.
Megjithatë, duket se ka mjaftuar sprova e shkaktuar nga Covid-19 jo veç për të zbuluar pafytyrësinë e Albin Kurtit, por edhe për ta shpërfaqur sheshazi paaftësinë e tij për t’i udhëhequr qoftë edhe proceset më të thjeshta me Serbinë.
Pranimi i 1000 testeve për coronavirus nga Serbia nuk është fare ndihmë e Vucicit për Kosovën. Në të vërtetë, është dhurata personale e Albin Kurtit për Serbinë në përgjithësi, e për Aleksandar Vucicin në veçanti. Presidenti i Serbisë, as në përfytyrimet e tij më optimiste, nuk ka mundur ta marrë me mend se Kosova do t’i pranonte ato teste. Mirëpo, ja që Kurti, pasi është shndërruar në zvarranik politik para Miroslav Lajçakut– që ka luftuar kundër Kosovës, dhe në një ujk luftarak kundër Richard Grenell – që përfaqëson shtetin pa të cilin Kosova s’do të ishte në hartën e botës, është kujdesur mjaftueshëm t’ia bëjë këtë nder Vucicit. Shprehur me gjuhën e tij, ai i ndihmoi një krimineli të luftës të duket si bamirës.
Për më shumë, Serbia ia dha Kosovës këto teste pikërisht në kohën kur po kujtohej deportimi i dhunshëm i shqiptarëve, holokausti i kryer nga Serbia, fakt që nuk u pasqyra në asnjë medium ndërkombëtar, e fort pak edhe nga politikanët vendas. Pra, në vend se në këtë përvjetor të flitej për krimet e Serbisë në Kosovë, Kurti u angazhua për t’ia bërë një PR të shkëlqyer Vucicit, duke i ndihmuar ta shesë një fytyrë humanitare në mediat me renome të botës. Një PR që në fakt Vucic nuk do ta kishte arritur me miliona euro shpenzime, e jo me 1000 teste që për një Qeveri s’kushtojnë as një grusht para.
Gjithsesi, situata është shumë më e rëndë se kaq. Jo pse vjen nga një njeri që s’ka lënë be pa bërë se me Serbinë gjërat i ka të prera, e s’ka lënë gjë të zezë pa i thënë çdo shqiptari që mendon ndryshe, duke u shtirur si shqiptari i vetëm i ndershëm në univers. Ai, për vite të tera, ka folur për logjikën shoviniste e prirjen imperiale të Serbisë, duke ligjëruar se si ajo synon si oktapod t’i lidhë shtetet në rajon përmes serbëve që jetojnë aty.
Me pranimin e 1000 testeve, Kurti ka rënë pikërisht në kurthin tjetër të Vucicit, për ta paraqitur Kosovën si një vend pa kapacitete të mjaftueshme për ta menaxhuar situatën e shkaktuar nga Covid-19.
Milo Gjukanovic për këtë arsye, me dinjitet i tha Serbisë: Jo, falemnderit!
Albin Kurti, jo vetëm që ra në kurthin e Serbisë, por edhe ia lejoi mjekët në komunat veriore të Kosovës, pa këmbim për mjekë shqiptarë në Preshevë, dhe pasi Serbia e poshtëroi Kurtin – duke ia zbatuar masat e saj në një pjesë të territorit të Kosovës.
Pra, Albin Kurti mund ta zëvendësojë fare thjesht atë personazhin e tregimit popullor që kafshon dorën e atij që e ushqen dhe i lëpin këpucët e atij që e përbuz dhe e godet. Ndjesë, por është shumë e vërtetë.
Kurti i pranoi ato teste jo si mbështetje ndër-shtetërore, por si qarkullim i brendshëm pa masa reciprociteti. Kjo përbën një problem politik, ku qartazi tregon se ai ka kapitulluar edhe në mbrojtje të parimeve të tij, me të cilat e solli Kosovën në prag të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në. Në këtë kuptim, s’ka asgjë humanitare nga ana e Serbisë. Thjesht, ka amatorizëm politik të Kurtit dhe nënshtrim të tij ndaj Serbisë.