Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar më në fund në lidhje me debatin rreth doracakëve të papërshtatshëm për edukimin seksual të fëmijëve. Ai ka vlerësuar se debati është bërë në kuadër të intensifikimit të një “lufte hibride” kundër qeverisë së Kosovës, “një fushate të egër propaganduese, në përpjekje të krijimit të kauzave të paqena”.
“Të painteresuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardianë të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë”.
Kurti ka theksuar se doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, apo tekst për nxënës. Sipas tij, doracakët kishin filluar të hartohen në vitin 2016 (kur në pushtet ishte PDK) dhe ishte miratuar në vitin 2020 (LDK), kurse në vitin 2023 (VV) vetëm është publikuar në faqen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
“Përderisa ata bëjnë politikë me fëmijë dhe familje, ne kemi bërë politika për fëmijët dhe familjen… E megjithëkëto në mesin e këtij diskutimi disaditor ka pasur edhe prind e individë me shqetësime të sinqerta, të cilëve ju falënderoj që i keni bërë të zëshme vërejtjet e juaja”, ka theksuar Kurti.
Ai ka veçuar gatishmërinë e qeverisë për të rishikuar përmbajtjen e doracakëve ndihmës që nuk e kanë gjuhën e përshtatshme, dhe nuk përputhen me kontekstin apo standardet e edukimit, dhe do të hiqen nga përdorimi gjatë kohës së rishikimit të tyre.
“Të dashur qytetarë, lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë. Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve”.