Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin ë Ibër-Lepenc, e ka cilësuar ketë si dëshmi të një hetimi të suksesshëm dhe bashkëpunimi të shkëlqyer mes institucioneve vendore të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë FBI-në.
Ai rikujtoi se që në orët e para pas sulmit kishte deklaruar se sulmi kishte origjinë nga Serbia, bazuar në informacionet e inteligjencës, dhe tani hetimet kanë siguruar prova që tre të akuzuarit kanë qenë në vendngjarje dhe të lidhur me struktura ilegale serbe.
Ai kritikoi Beogradin zyrtar për mohimin e përgjegjësisë dhe përpjekjet për dezinformim, duke theksuar se aktakuza e ngritur do të konfirmojë vlerësimet e institucioneve kosovare të bëra publike në konferencat dhe adresimet e tij të mëparshme.
Sipas Kurtit, rasti dëshmon se terrorizmi në Kosovë nuk mbetet pa ndëshkim dhe se dezinformimi nuk mund të kalojë pa u zbuluar.
Postimi i plotë:
Pas një bashkëpunimi të shkëlqyer, hetimi të suksesshëm të kryer nga institucionet relevante të inteligjencës dhe sigurisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datë 8 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të datës 29 nëntor 2024.
Siç e kam thënë në konferencën e jashtëzakonshme, pak orë pas shpërthimit të kanalit, në bazë të informacioneve që kam marrë nga institucionet e sigurisë, sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor.
Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast.
Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit.
Procesi gjyqësor do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist.
Përkundër faktit se Beogradi zyrtar mohonte përgjegjësinë dhe u angazhua fuqishëm përmes veprimeve hibride në dezinformimin e opinionit, duke ngritur dyshime nga më të ndryshmet për përgjegjësit apo motivet e aktit terrorist, aktakuza e ngritur dhe epilogu i rastit, pa fije dyshimi, do të konfirmojnë të dhënat dhe vlerësimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat me siguri të plotë i kam thënë edhe më parë në dy konferenca për medie (më 29.11.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/news/adresimi-i-kryeministrit-kurti-ne-konferencen-e-jashtezakonshme-per-media/ dhe më 24.12.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/news/adresimi-i-plote-i-kryeministrit-kurti-ne-konferencen-per-media-me-teme-terrorizmi-i-sponzorizuar-nga-serbia-dhe-pergjegjesia-per-sulmet-ne-kosove/) si dhe gjatë vizitës në Varagë të nesërmen (https://www.facebook.com/share/p/1AaYQ1whaq/?mibextid=wwXIfr).
Integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë, sundimi i rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim, janë vlera jetike për të cilat angazhohemi ditë e natë dhe për të cilat nuk do të ndalemi asnjëherë. Rasti i fundit dëshmon që në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi.
Falënderojmë institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me ShBA-të, institucionet, aktorët tjerë dhe qytetarët, për kontributin që po ofrojnë për një Kosovë gjithnjë e më të sigurt e paqësore, më të fuqishme në aspektin ekonomik, ligjor, integrues dhe demokratik.