Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi disa takime të enjten, ndër to edhe me me ish-ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer me te cilin biseduan për politikën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Kurti falënderoi ish-ministrin e Gjermanisë, Joschka Fischer për rolin e tij të rëndësishëm dhe vendimtar gjatë vitit 1999, që rezultoi me intervenimin e NATO-s kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Takimi u mbajtë në margjina të Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist” me temën “Promovimi i solidaritetit dhe gjithëpërfshirjes në Evropë” në Shkup të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Aty, kryeministri takoi ndaras edhe ish-ministrin e financave të Holandës, Jeroen Dijsselbloem, dhe me drejtoren ekzekutive të “The Economist Events” për Greçi, Çipro, Maltë dhe Evropën Juglindore, Nectaria Passarivakis.
Në takimin me Jeroen Dijsselbloem kryeministri Kurti bisedoi për investimet në ekonomi si promotor i krijimit të vendeve të reja të punës, kurse në takimin me Nectaria Passarivakis u diskutua për mundësinë e organizimit të ngjarjeve të ngjashme edhe në Kosovë nga “The Economist”.