Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka deklaruar se, pavarësisht bllokimit të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit, ekonomia e vendit ka vazhduar të shënojë rritje, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, rritja ekonomike ka arritur në 4.58 për qind të bruto produktit vendor.
“Përderisa formimi i institucioneve të reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit ende mbahet pezull, ekonomia e vendit vazhdon të rritet duke shënuar një rritje 4.58% të bruto produktit vendor në tremujorin e dytë të këtij viti”, tha Kurti.
Kurti ka njoftuar gjithashtu për një masë të re financiare që përfshin të gjithë studentët, duke theksuar se secilit prej tyre do t’u ndahen nga 100 euro mbështetje e menjëhershme.
“Nga 100 euro shumë e menjëhershme për të gjithë studentët. Mbështetja për studentët nuk mbaron me kaq. Sot do të merret vendimi edhe për bursën e mobilitetit për studentët ‘bachelor’, ndërsa shuma e mbështetjes do të varet nga distanca e vendbanimit”, theksoi Kurti.