Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të shtunën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Në këtë mbledhje u diskutua për të arriturat e kësaj partie, ndryshimet brenda organizatës e situatën politike në vend e botë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i VV-së, Albin Kurti, ka folur edhe për qeverisjen e partisë së tij në këto dy vjet, me ç’rast ka deklaruar se asnjë qeveri gjatë Kosovës së lirë nuk është përballur me vështirësi të natyrave globale si qeverisja e tij.
“Pas tri javësh bëhen dy vite që kur kemi filluar të qeverisim me vendin, pra po arrijmë gjysmën e mandatit. Janë dy vite me plotë sfidë, fillimisht si pasojë e pandemisë, e më pastaj krizës energjetike e tregtare por edhe luftës në Ukrainë. Mund të thuhet se asnjë Qeveri nuk është përballur me këso vështirësi. Gjatë këtyre dy viteve nuk e kemi asnjë skandal korrupsion por kemi ngritje në vendet për luftim të korrupsionit”, u shpreh Kurti.
Ai më tutje ka përmendur raportet e Transparency International e World Justice Project, derisa ka vazhduar t’iu flasë aktivistëve edhe për projektet e tjera të qeverisë.
“Gjatë këtyre dy viteve nuk e kemi asnjë skandal korruptiv dhe jemi ngritur për 20 vende në indeksin e Transparency International për luftën kundër korrupsionit si dhe 17 vende në lirinë e mediave. Për herë të dytë Kosova është radhitur e para në indeksin e World Justice Project dhe për herë të parë kemi qenë të dytit për përmirësimin e sundimit të ligjit.”, tha Kurti.
Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se presin që kjo të ndodhë nga 1 janari i vitit 2024, ashtu siç është premtuar publikisht.
“Kemi hedhur hapa të rëndësishëm sa i përket integrimit tonë evropian dhe euroatlantik. Themeluam grupin punues për anëtarësim në NATO, aplikuam për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aplikuam për anëtarësim në Bashkimin Evropian ratifikuam marrëveshjet nga procesi i Berlinit dhe nga një janari i vitit 2024, presim heqjen e vizave për qytetarët tanë siç na është premtuar publikisht në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Kurti.