Gratë në Kosovë janë dëshmuar si ndërmarrëse e punëtore; sot janë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi e shërbime.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, organizuar nga MINT me rastin e Ditëve të Inovacionit dhe Pronësisë Intelektuale.
Shefi i ekzekutivit u zotua se do t’u krijohen mundësi të barabarta grave në çdo fushë, raporton Ekonomia Online.
“Sot janë shumë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi e shërbime. Ato edhe më parë kanë gjetur mundësi, kanë shpikur forma të burimit financiar. Qepën e thurën për t’i shkolluar fëmijët e tyre, i gjeten vetë tregjet e i siguruan vetë mjetet financiare”.
“Përtej këtyre shembujve nga e kaluara jonë jo shumë e largët e deri tek ato që eksportojnë nëpër botë, janë të panumërta gratë që insistojnë në biznes e në zhvillim të projekteve. Andaj ne obligohemi që t’i përkrahim që janë në fillim të nismave të tyre, ato që janë në mes të një vështirësie biznesore dhe t’i nxisim ato që kanë dëshirë e vullnet”.
“Ne duhet të sigurohemi për një fillim të barabartë sepse edhe rrugëtimi në shumicën e rasteve nuk ka qenë i barabartë, shumica e tyre kanë pasur shumë sfida gjatë jetës e ne si Qeveri jemi të vëtëdjshëm dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundur”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, ka premtuar përkrahje për gratë që merren me shkencë e inxhinieri, raporton EO.
Ajo ka sqaruar se me 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshja për treg të përbashkët, raporton EO.
“Më vjen mirë që gratë e Kosovës po zgjedhin të studiojnë drejtime në shkencë e inxhinieri. Duhet të themi se këtë armate punëtore, qeveria e Kosovës e ka mbështet dhe po vazhdon ta mbështes me politika të shëndosha. Teksa shënojmë këtë ditë të rëndësishme si faktor për zhvillimin e ekonomisë dhe lidhjeve të transportit dhe inovacionit është vendimtare që të bëhemi bashkë për të nxitur kreativitet për inovacionin. Në këtë drejtim, pronësia intelektuale është e rëndësishme”.
“Si ministri sektorin privat me komunat po punojmë ngushtë për të avancuar me politika për pronën intelektuale e inovacion qe kanë synim të zhvillojnë inovacionin edhe për sektorin privat. Kemi filluar negociata dhe është përmbyllur marrëveshja për treg të përbashkët me rajonin dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet më 11 maj në Bruksel”.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
E nderuara zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,
I nderuari zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z. Mentor Arifaj,
Të nderuar përfaqësues, udhëheqës të agjencive shtetërore të Pronësisë Industriale nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut,
I nderuari drejtor i ITP në Prizren nga GIZ-i, z. Hans-Juergen Cassens,
Shkëlqesi ambasadorë e shefa të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar drejtues e përfaqësues të organizatave, institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë,
Të nderuar partnerë e bashkëpunëtorë nga akademia, nga biznesi, inovacioni e kultura,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se po e gjejmë njëri-tjetrin në këtë ngjarje të vlefshme për inovacionin dhe kreativitetin. Dje mbajtëm konferencën e parë vjetore STEMinists, ngjarje, e cila do të bëhet e përvitshme dhe do të vendoset në kalendarin e Qeverisë për javën e fundit të muajit prill. Ndërkaq, më vjen mirë që sot po e vazhdojmë diskutimin, por në një dimension akoma më specifik e kontribuues për progresin tonë si shtet.
Pothuajse nuk ka fushë të ekonomisë ku ato nuk janë ndërmarrëse. Nuk ka asnjë ku nuk mund të jenë të tilla. Tashmë në Kosovë na e kanë dëshmuar dhe çdo ditë e më shumë rriten sferat ku ato janë protagoniste, si ndërmarrëse e si punëtore. Sot janë shumë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi, në shërbime, në gastronomi, në rrobaqepësi e në prodhim.
Gratë janë punëtore në cilëndo pozitë të punës. Ato edhe më parë kanë gjetur mundësi e kanë shpikur forma të burimeve financiare. Qepën e thurën për t’i shkolluar fëmijët e tyre, gatuan e seleksionuan bimë të ndryshme, i gjetën vetë tregjet dhe i siguruan mjetet financiare. Prej këtyre shembujve nga e kaluara jonë jo shumë e largët e deri tek ato që sot eksportojnë nëpër botë, janë të panumërta gratë që insistojnë në biznes e në zhvillim të projekteve. Andaj, ne detyrohemi dhe obligohemi t’i përkrahim ato, që janë në fillim të nismave të tyre, ato që janë në mes të një vështirësie biznesore, dhe t’i nxisim ato që kanë dëshirën e vullnetin.
Qasja në financa, qofshin ato edhe të ulëta, është përcaktuese për pronën apo rritjen e biznesit, por edhe vetë përvojat e aftësitë e deri tek rezultatet finale. Ne duhet të sigurohemi për një fillim sa më të barabartë, sepse edhe rrugëtimi para këtij fillimi në shumicën e rasteve nuk ka qenë i barabartë. Shumica e tyre kanë pasur më shumë sfida gjatë përvojave jetësore e të karrierës e ne si qeveri jemi të vëmendshëm për këto dallime që në fëmijëri dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundshme; përmes edukimit në fëmijërinë e hershme, përmes ndarjes së bursave vetëm për vajzat studente në ato lëmi, që kanë qenë të populluara kryesisht prej djemve studentë e të tjera, e të tjera.
Ndërkaq, ato që kanë zgjedhur rrugën e të bërit biznes, kanë zgjedhur guximin dhe ne duhet t’i përkrahim. Andaj, investimi në këtë drejtim është i domosdoshëm. Qasja në mjetet financiare për gratë që e duan punën, është edhe interes afatgjatë i ekonomisë së vendit tonë. Mundësimi në financa për to, nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi. Është investim. Andaj, institucionet mbështetëse janë pjesë të sigurta të suksesit, qofshin ato publike apo private.
Inkurajimi në investim kërkon organe të përgjegjshme në adresim të sfidave, e te pronësia intelektuale, ato janë globale: ndryshimet klimatike, krizat e shëndetit publik, siç u përballëm me pandeminë COVID-19 dhe siguria ushqimore. Të drejtat e garantuara me ligjet tona duhet të mbrojnë veprat krijimtare e inovative. Mbrojtja e pronësisë intelektuale nxitë inovacion e kreativitet. Pra, zhvillim të ideve, investim më të qëndrueshëm dhe shtim të shërbimeve të reja.
Qeverisja jonë ka ndërmarrë disa veprime që ndërhyjnë dhe ndikojnë në ekonominë drejt barazisë dhe zhvillimit. Asnjëherë nuk është bërë më shumë e më mirë dhe jemi të vendosur të ecim sa më shpejtë e bashkë në këtë drejtim.
Me masat mbështetëse të Qeverisë, subvencionuam kreditë investuese të mbi 200 bizneseve prodhuese, ku vlera e akreditimit të mundësuar ishte mbi 100 milionë euro. Mbështetëm 268 biznese, 40% prej tyre në pronësi të grave, me vlerë 11.2 milionë euro, për shtim të kapaciteteve prodhuese për eksport e me teknologji të avancuar. Nga projekti “Iniciativa për Fuqizim Digjital” përfituan 62 ndërmarrje, prej tyre 35 në pronësi nga gratë, pra ma shumë se gjysma. Për dy vite, janë punësuar rreth 5 mijë gra dhe është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra. E, afër 1500 familje kanë të paktën një anëtar të punësuar, prej tyre 603 gra, nëpërmjet masës ‘Qeveria për familje’.
Qëllimi ynë si Qeveri është të mos e lëmë askënd në gjendje të pasigurisë financiare. Vetëm me politikën tonë të re, për shtesat për lehona dhe fëmijë, afër 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare. Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës kredi marrin më shumë burrat se sa gratë. Ky krahasim është duke lëvizur çdo ditë dhe duhet të shkojë në një qasje më të barabartë. Arsyet pse gratë kërkojnë kredi janë në të shumtën e rasteve më të arsyeshme e më dobiprurëse se sa ato për të cilat kërkojnë burrat kredi.
Prandaj, duhet eliminuar diskriminimi dhe pengesat e shumëfishta, të cilat krijohen veçanërisht duke u bazuar në gjini, por nganjëherë edhe në origjinën etnike e shoqërore, në moshën apo edhe në gjendjen socio-ekonomike. Qasjen e tillë e shohim me interes publik. E për këtë, Qeverinë e Kosovës mund ta llogarisni partnere dhe aleate në rrugëtimin zhvillimor.