Kryeministri Albin Kurti, tha se se deklaratat e krerëve në Serbi janë nxitëse dhe se nuk mund të flasin në emër të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kurti gjatë vizitës n Doganë i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kosova po përgatitet për sulm ndaj serbëve në veri.
Kryeministri Kurti tha se deklaratat në Beograd për vrasje e dhunë flasin për vete dhe imagjinatën e tyre e jo për Republikën e Kosovës.
“Së pari edhe në bazë të fitores së shkurtit të vitit të kaluar unë jam kryeministër i shpresës dhe i progresit ndërsa në serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur flasin për dhunë në Serbi flasin për vete nuk flasin për republikën tonë, për ne flasin instituicionet”, tha ai.
Shefi i qeverisë tha tutje se Kosova është për paqe dhe stabilitet afatgjatë.
“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore mirëpo me 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur dhe organizuar strukturat paralele që u bënë banda kriminale pra kur ata flasin flasin për vete ne jemi për paqe dhe stabilitet afatgjatë”.
“Jemi te Doganat e Kosovës në vitin 2021 janë rritur mbi 30% të hyrat në dallim me vitin 2020. Këtu konstatojmë progresin e Kosovës. Ne duhet ta mbrojmë këtë progres dhe ka autokratë që janë të shqetësuar me progresin e Kosovës, mos harroni se deklaratat e Beogradit kur folin për Kosovën janë duke folur për vete”.
Shefi i ekzekutivit foli edhe për nismën e disa qytetarëve për lejimin e shamisë nëpër shkolla.
Kurti tha se as tash si kryeministër s’e ka ndërruar qëndrimin se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, por se moshën 16 vjeçare e konsiderojnë si prag, raporton EO.
“MAShTI është duke e përcjell me vëmendje shqetësimin që disa qytetarë e kanë nisur këtë udhëzim administrativ, dhe ne shumë shpejtë do ta sjellim udhëzimin administrativ për komunitete dhe unë e kam thënë se nuk duhet të ketë ndalesa e duhet të jenë të lirë të vendosin. Pra pragu duhet të jetë 16 vjeçar, pas kësaj moshe duhet të vendos vetvetiu”, tha ai.