Kurti i përgjigjet Lajçakut: Nuk frikësohemi për Asociacionin, por jemi të kujdesshëm

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 12:10 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth deklaratave të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili në përfundim të vizitës në Prishtinë e porositi Kosovën që të mos frikësohet dhe ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe.

Lajçak, në konferencën e përbashkët me zëvendës-ndihmësin e sekretarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, ka thënë se çështja e Asociacionit ishte pjesë e diskutimeve me krerët e shtetit në Kosovë.

Për këto deklarata, shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se interes i Kosovës mbetet ruajtja e integritetit territorial dhe funksionaliteti shtetëror dhe kushtetutshmëria, teksa ka lënë të nënkuptohet se Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk do të themelohet, raporton Ekonomia Online.

“Kosova nuk frikësohet (për Asociacionin), por Kosova me Qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne mbrojmë interesat e shtetit tonë, që është integriteti territorial, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet në Bruksel dhe jemi konstruktivë”, tha Kurti për gazetarët, gjatë vizitës që bëri në Agjencisë Shtetërore të Navigacionit Ajror.

“Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm të punojmë dhe kur punojmë për marrëveshje, nuk bëjmë dialog për dialog. Nuk janë biseduar modele të formimit të asociacionit, të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara me nivelin më të lartë të standardeve evropiane”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka mohuar se janë negociuar “modele të mundshme të themelimit të Asociacionit”. Ai ka thënë se të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuar me nivelin më të lartë të standardeve evropiane.

“Parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, bisedojmë për marrëveshje nuk bëjmë dialog për dialog, jemi konstruktiv jemi serioz dhe njëkohësisht e vënë theksin te ajo që po pajtohen gjithnjë me shume faktorët ndërkombëtarë e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden qe marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, në konferencën e përbashkët me zëvendës-ndihmësin e sekretarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, ka thënë se çështja e Asociacionit është vazhdimisht e pranishme në diskutimet me palën kosovare.

“Kosova është palë e plotë në dialog, është 50 për qind e dialogut dhe duhet të ketë një dakordim nga pala e Kosovës… Kam thënë se askush nuk dëshiron Republikë Serbe, por ato marrëveshje që janë arritur duhet të zbatohen. Këtë e kam thënë edhe në takime. Nuk ka asnjë arsye që ju të jeni të frikësuar, sepse ne jemi këtu që të sigurojmë që çdo marrëveshje që arrihet të jetë në përputhje me standardet evropiane”, u shpreh Lajçak.

Të ngjashme