Kryeministri Albin Kurti ka treguar empati (një gjë jo shumë e shpeshtë) për gazetarët që po prisnin në sallën e konferencave të Qeverisë së Kosovës, të premten pasdite.
Ata po prisnin nga ora 16:00, kur nga Zyra e Kryeministrit ishte njoftuar se do të mbahej mbledhja e Qeverisë së Kosovës. Interesimi i gazetarëve ishte më i madhi për vendimin për targat, por Kurti ka vendosur që për këtë çështje të flasë në fund, rreth orës 18:00.
Mbledhja e kabinetit qeveritar ka nisur rreth orës 17:00, pasi Kurti ka mbajtur një takim me ambasadorët e Quintit – për të diskutuar “urgjentisht” çështjen e targave.
Pas takimit me Quintin, Kurti ka bërë të ditur para kabinetit të tij se ka vendosur të zgjasë edhe njëherë afatin për ndërrimin në RKS të targave “të paraluftës” që i bartin kryesisht serbët. Kjo po i kërkohej me ngulm javët e fundit ngas ShBA-ja dhe shtet e tjera mike të Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë, e dyta që mbahet gjatë kësaj jave, Kurti tha se do të trajtojnë një çështje shumë të rëndësishme Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka mbajtur një konferencë me ministrin e Financave, Hekuran Murati; për ta lënë në fund konferencën me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku ka dhënë detaje për vendimin për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave.
“Më falni, vetëm të ju njoftoj se pas kësaj konference për medie do të jetë një konferencë tjetër për medie, ku në vend të ministrit Hekuran Murati do të jetë ministri Xhelal Sveçla”, iu tha shefi i Qeverisë, gazetarëve.
“Nuk e di çfarë planesh keni bërë sonte, sepse mund të vonoheni. Nëse keni lënë takim është mirë t’i paralajmëroni”, tha Kurti, raporton Ekonomia Online.