Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pak minuta pasi u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar nga posti i zëvendëskryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, z. Avdullah Hoti”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit, dërguar për medie, pas mesnatës.
Kuvendi i Kosovës, të mërkurën në mbrëmje, miratoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Pas një debati që kishte nisur rreth mesditës, për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Kurti votuan 82 deputetë; shumica e deputetëve nga LDK-ja dhe partitë opozitare.
Kundër votuan 32 deputetë. Deputetëve të Vetëvendosje iu është bashkuar dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se nuk do të votojë asnjë mocion “që e kthen PAN-in në Qeveri”.
Emri i Avdllah Hotit po përmendet si njeriu që mund ta drejtojë Qeverinë e re, që pritet të krijohet pa Vetëvendosjen.