Kurti i shqetësuar me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19 në ditët e fundit

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 13:22 | Nga Kastriot Kokollari

Kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka vizituar QKUK-në, ku është njoftuar për së afërmi me situatën dhe luftën me COVID-19, raporton Ekonomia Online.

“Duhet ta ruajmë secili veten tonë dhe ta mbrojmë njëri- tjetrin. Ne si qeveri në detyrë jemi në konsultime ditore me ekspertë të Hardvardit të cilët po e ndjekin në një kohë reale menaxhimin e pandemisë këtu në Kosovë dhe kemi mbështetjen e tyre falas. Gjithashtu bashkëpunimi ynë me komunat, policinë dhe organizatat është shumë i mirë dhe kështu duhet mbetet”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se shqetësimi më i madh ditëve të fundit është se numri I të infektuarve ka kaluar numrin e të shëruarve.

“Ditët e fundit kemi diçka shqetësuese për shkak se numri i të infektuarve e ka kaluar numrin e të shëruarve. Mbrëmë u dha njoftimi se në ditën e djeshme kishim 8 të infektuar dhe asnjë të shëruar ndërsa,  pardje kishim 24 dhe vetëm 14 të shëruar dhe kjo lakorja ngelet e tillë përveç këtyre dy ditëve të fundit atëherë duhet ta fuqizojmë mesazhin tonë t’i mirëmbajmë masat dhe udhëzimet që mos të kemi ndonjë dështim në minutat e fundit”, shtoi ai.

Ai tha se merita kryesore i takon qytetarëve.

“Besoj që merita kryesore i takon popullit të Kosovës. Si do të vazhdojmë në javën e ardhshme varet këto ditë dhe është e domosdoshme që numri i të shëruarve të jetë më i madh se i të infektuarve”, tha Kurti.

Ndërsa, drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu,  ka falënderuar Kurtin për vizitën. Ai për së afërmi kishin njoftuar Kurtin për vështirësitë që kanë hasur.

“Sot për së afërmi kryeministri u njoftua me punën dhe luftën me pandeminë si dhe gjendjen momentale dhe është një mbështetje  qeveritare që sa më lehtë të përballohet. Informuam se ato vështirësi që i kemi pasur janë tejkaluar”, tha Sejdiu..

Të ngjashme